Ndërkohë që po përgatitet për të publikuar projektin e tij më të ri muzikor, duket se Majk vazhdon të korrë sukses edhe me projektet e tij të mëparshme muzikore.

“Katile” është një projekt muzikor, të cilin Majk ka rreth 2 muaj që e ka publikuar, por duket se suksesin më të madh, kjo këngë e ka arritur këtë javë pasi kanë kaluar disa kohë që kur ajo ka dalë në treg.

Falë sugjerimeve të publikut, kjo prurje e artistit është bërë këtë javë për herë të parë pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Përveçse është futur në renditjen e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, ajo është pozicionuar mjaft mirë, pikërisht në vendin e 22-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm.

Ndërkohë që ka rezultuar tepër e pëlqyer për publikun shqiptar, duket se edhe publiku turk ka patur një reagim pozitiv për këtë këngë të Majk. Ditën e sotme, reperi ka publikuar një video nga një resort turk ku ai po pushon, teksa në sfond dëgjohet “Katile”.

Nuk dihet nëse sugjerimet kanë ardhur më së shumti nga fansat e tij brenda apo jashtë Shqipërisë, por një gjë është e sigurt, kënga e Majk është renditur në një pozicion tepër të rëndësishëm të listës zyrtare të “Top Awards”.

Majk është gjithashtu pjesë e kalsifikimit edhe me dy projekte të tjera muzikore. “Le t’xhelozojnë” ka 31 javë që është në klasifikim, duke u pozicionuar në vendin e 31-të për këtë javë ndërsa “Kcen”, e cila pozicionohet në vendin e 34-t, ka 35 javë që është në listën zyrtare të “Top Awards”.