Reperi i dashur i publikut shqiptar, Majk, ka bashkuar fuqitë me Yll Limanin për projektin e ri muzikor. Pas bashkëpunimit të tij me Ghetto Geasy, “Paris Milano”, Majk ka përzgjedhur një tjetër artistë të talentuar dhe bëhet fjalë për Yll Limanin.
“Krejt ti Fala” titullohet kjo prurje e re e dy artistëve, e cila ka tre javë që është publikuar dhe ka rezultuar tepër e pëlqyer që në javën e parë, duke u futur menjëherë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Ndërkohë që në javën e parë që është futur në listë kjo këngë pozicionohej në vendin e 34-t, ajo nga java në javë ka ardhur duke u ngjitur sa më në majë të listës, duke iu afruar treshes më të nxehtë të klasifikimit.
Të njëjtin sukses Majk ka korrur me bashkëpunimin e tij me Capital T, “Pasha Jeten”, me të cilin është renditur në vendin e tretë. Pavarësisht se ka 32 javë në listë, kjo këngë vazhdon ende të dëgjohet dhe votohet nga publiku shqiptar, ku për këtë javë mban vendin e 28-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në listë.
Majk, i cili ka sjellë disa bashkëpunime me artistë të ndryshëm, i është afruar shumë kreut të “The Top List” por nëse ai do arrijë të pozicionohet në vendin e parë, kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.
Pavarësisht se numëron mjaft projekte të suksesshme në karrierën e tij muzikore, derimë tani Majk nuk ka mundur asnjëherë të kryesojë klasifikimin zyrtar të “Top Awards”.