Pas përfundimit të “Big Brother VIP Albania”, prej nga doli edhe fitues, Luiz Ejlli është bërë aktiv në muzikë, film, në rrjetet sociale dhe në koncerte. Publiku e do tej mase dhe është kthyer në ndoshta personazhin më të komentuar të këtij viti.

Projektet muzikore për Luiz Ejllin pas daljes nga shtëpia e “Big Brother VIP” nuk kanë patur fund këtë vit. Këngëtari, të cilit iu ndryshua jeta përgjithmonë në reality-show, është tashmë i impenjuar me koncerte dhe jo vetëm, pasi po gjen gjithashtu kohën të punojë në studio.

Kënga e tij më e fundit është “Ninulla e Vetmisë” dhe është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë. Ky projekt erdhi pak javë pasi ai solli “Frymë”, një këngë dedikuar vogëlushes së tij dhe të Kiara Titos që pritet të vijë së shpejti në jetë.

Viti 2023 padyshim që ka qenë mjaft produktiv për Luizin. Ai ka arritur që të publikojë plot 8 këngë këtë vit.

Luizi e nisi me projektin “Me ty”, kur ishte ende brenda shtëpisë së “Big Brother VIP”, e që nga ajo ditë nuk u ndal. Të gjitha projektet e tij në fakt kanë rezistuar ende në klsifikimin e “The Top List”, duke bërë kështu një rekord të ri.