Programi traditë i ditës së fundit të vitit rikthehet edhe këtë herë dhe ndoshta ky është një nga momentet më të shumëpritura për të gjithë ju. E si mund të mbyllet ndryshe ky vit, përveç se nën tingujt e muzikës më të mirë të 2023. Surprizat nga artistët nuk mungojnë as në 2023, si në skenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare ndaj maratona e 100 këngëve më të mira të vitit do të jetë shpërthyese.

Le të kalojmë së bashku rreth 8 orë maratonë, në shoqërinë e atyre që ju kanë bërë shoqëri gjithë vitin. Shoqëroni orët e fundit të një viti ‘të vjetër’ i cili i lë vendin një tjetri të cilin le të shpresojmë të jetë edhe më i mirë se ky që po lëmë pas. Në një lidhje telefonike ishte Luiz Ejlli, fituesi i edicionit të dytë të “BBV”. Urimi special për Vitin e Ri nga Luizi për të gjithë shqiptarët:

Uroj t’ju plotësohen të gjitha dëshirat dhe një vit plot mbarësi dhe shëndet.

2023 a ka qenë viti i Luiz Ejllit? Këngëtari shprehet:

Për të gjithë ata që e kanë parë thonë me plot gojën që ka qenë i imi viti 2023. Për mua është 2024 sepse vjen në jetë vajza ime.

Erion Veliaj e cilësoi personazhi i vitit. Ja si reagon Ejlli në lidhje me këtë:

E falënderoj, është kënaqësi dhe privilegj. I uroj suksese në familjen e tij. Ishalla edhe Tirana bëhet më e mirë ne jetesë edhe gjithçka tjetër.

Ku ndodhet për momentin Luizi?

Jam në Maqedoni, do të jem këtu për natën e ndërrimit të viteve. Do të doja të isha me Kiarën, me njerëzit e mi por dikush duhet të punojë.(qesh) Do ia kalojmë shumë mirë, zëre se jam në një ambient familjar edhe këtu ku ndodhem.

Projektet e reja për 2024?

Kam një bashkëpunim të ri me një këngëtar, e kemi bërë më shumë dëshirë dhe pasion.

Ndërkaq, çfarë shquan Luizi tek Kiara tani që kanë nisur edhe bashkëjetesën?

Kryesorja që ajo ka besim tek unë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Është e vështirë sot t’i besosh dikujt dhe Kiarës i besoj edhe jetën time. Jam njeriu më me fat që e kam në krah.

Si i kanë të ndara punët e shtëpisë dyshja më e komentuar e momentit?

Punët e shtëpisë i bën Kiara, ajo gatuan, hekuros.(qesh)