I ftuar në këtë episod të “A Live Night” ishte një artist shumë i dashur dhe i talentuar, Ledri Vula. Në një intervistë si asnjëherë më parë, Ledri ka rrëfyer gjithçka për karrierën e tij muzikore dhe jo vetëm.

Gjëja më me qejf që bëj është të shkoj në studio të nxjerr një tekst, të inçizoj diçka. Pjesët e tjera e kanë dashurinë e vetë, rëndësinë e vetë, por qejfi më i madh për mua mbetet të nxjerr diçka të re.

Ndër të tjera, Ledri Vula foli edhe për fëmijërië e tij në “A Live Night”. Ai tregoi më tepër për marrëdhënien me prindërit dhe gjyshërit, teksa solli në mendje disa kujtime.

Sipas kujtimeve që kam, kemi pasur një fëmijëri të lumtur, edhe pse kemi qenë nën shtetin serb, përsëri kemi pasur një harmoni shumë të mirë me shokët… Në darkë duhet të ktheheshim në shtëpi sepse nuk ka qenë shumë e sigurt që të luanim… Më kujtohet që dilte gjyshja më kërkonte prej frikës mos po ndodhte diçka.

Babi ka qenë në Gjermani, është dashur të shkojë për shkak të situatës që ka qenë. Unë jam rritur me mamin, edhe jam shumë i lidhur me të. Prej të dyve kam marrë diçka, edhe të mirat edhe të këqijat. Kur mendohem, dy gjëra i kam si mami, dy si babi, nuk i ngjaj vetëm njërit. Deri në ditën kur i thashë babit që dua të studioj regji, nuk më ka pyetur. Kur i thashë që dua të studioj regji, pashë gëzimin në sytë e tij, e kam parë që ndoshta tërë jetën ka dashur që unë të studioj regji, por kurrë nuk ma ka thënë. Kurrë nuk më ka thënë të bëj diçka jashtë dëshirës sime. Mamatë janë gjithmonë pak më kritike, sidomos për djalin, por kurrë nuk më ka ndaluar të bëj diçka. Ndoshta ajo ka ndikuar edhe në tekste, pse nuk kam sharë në tekste.

Nuk kam dashur kurrë të dëshpëroj gjyshin. Gjithmonë kam dashur të dal i pari, si në sport, si kudo. Gjyshi më ka bërë shumë luftarak, të dua fitoren. Ditën kur gjyshja më ka ndihmuar të shkruaj hartimet, edhe më ka dhënë konceptin se si është një hyrje, mesi dhe një përfundim i një tregimi ose teme, më ka ndihmuar shumë më vonë për të shkruar tekstet.

Kur jam rritur, e kam marrë vesh ku jam rritur. Edhe jam shumë i lumtur. Familjen nuk mund ta zgjedhësh apo ta ndërrosh. Unë e konsideroj veten shumë me fat ku jam rritur.

Ai foli për karrierën dhe jo vetëm, teksa tregoi për mënyrën si lidhja e prindërve të tij me televizionin ka ndikuar tek ai.

Kolegët kanë pasur një respekt pak më të veçantë, për shkak se i kam prindërit në televizion, por kur nuk je i mirë është e kotë. Më ka dhënë një ndihmë që ndoshta i kam kuptuar gjërat më shpejt. Si festivalet, si dalja në skenë, të gjitha gjërat që e kanë rëndësinë e vetë i kam kuptuar më shpejt duke parë prindërit. Babi ka realizuar shumë festivale televizive, unë kam qenë pas, e kam parë si shkojnë. Kam pasur qejf të jem në skenë një ditë, më është shtuar dëshira si për regji, si për muzikë.

Jo vetëm muzikën, por duket se Ledri ka shumë pasione, teksa ka folur në “A Live Night” për ëndrrën e fëmijërisë.

Kur shokët e mi ‘ndiqnin’ vajza, unë ndiqja topin. Kam luajtur shumë basketboll. Në përgjithësi sporti më pëlqen shumë, jam shumë konkurrues edhe kam qejf të fitoj. Sportin e dua tepër. Jeta pa sport më bën pak depresiv. Ëndërr e kam pasur të luaj në NBA. Kjo ka qenë ëndrra më e madhe si fëmijë.

Por nga kush frymëzohej Ledri në muzikë?! Artisti zbulon gjithçka në “A Live Night”.

Tupac ka qenë emri më i madh, por më pas kam filluar të dëgjoj edhe repera të tjerë. Prej të gjithëve kam marrë nga pak. Kështu jam formuar unë si reper, asnjëherë të kopjoj dikë, apo të bëhem si dikush, por e kam studiuar repin. Kam shkruar mbi tekste, kam punuar mbi këngë…

Ledri foli për hapat e parë në muzikë, teksa kujtoi gabimet, mësimet dhe sukseset e tij.

Jam njohur me Lumin, Viganin, Skivin. Në atë kohë mundësitë kanë qenë shumë të vogla për të bërë një këngë vetë. Ka qenë më ‘in’ të ishim grup. Kaq e thjeshtë ka qenë. 5 minutat e para të famës më është dukur sikur nuk kam shkelur në tokë. Kënga e dytë menjëherë ka qenë dështim, më dha një shuplakë të bukur. Prej asaj dite jam me këmbë në tokë, edhe falenderues për secilin sukses që vjen.

Nga grup në solo, Ledri rrëfen emocionet dhe kujtimet e këtij procesi.

Prej ndarjes së “Skillz”, nëse mund ta quaj, sepse nuk ka qenë ndarje, unë e kam ditur që do shkoj në studio të bëj këngë, nuk do ndalesha të shkruaj. Por edhe kam menduar a të kthehem. Ka qenë një periudhë prej ma të vështirave deri te më e mira. Para këngës “100 Probleme”, nuk kisha çfarë të humbja. Doja ta bëja vetëm për qejf. Më pas gjithçka ndryshoi. Ky ndoshta ka qenë momenti kryesor në karrierë.

Ai u shpreh për karierën e tij muzikore, tregoi cili është çelësit i suksesit sipas tij, teksa na njohu edhe më tepër me karakterin e tij.

Gjithmonë kam qejf të bëj diçka të re. Ndoshta ky ka qenë çelësi i suksesit. Mos të përsëris edhe gjithmonë të punoj. Nonstop në lëvizje. Kur ke shumë këngë të jep njëfarë sigurie.

Jam kritik. Kur lansohet kënga, mendoj për projektin tjetër. Më herët kur kam qenë duke mësuar si të shkruaj, janë disa momente që nuk më pëlqejnë, por të lënë kujtime. Them më mirë që janë, sepse përmes atyre këngëve, kam kujtime se si ka shkuar procedura. Kështu që secila këngë e ka një kujtim. Ndaj nuk do t’i kisha hequr. Jam pak tip nostalgjik.

Edhe si fëmijë kam pasur problem me gjeneratat. Sa herë jam bërë ‘djali i keq’, nuk më ka dalë asgjë mirë. Edhe kur kam bërë diçka me inat, më është kthyer. Nuk kam hyrë në ndonjë rol. Ai njeri që jam, ai jam edhe në këngë, edhe në tekste, edhe në intervistë… Ndoshta në aktrim nuk do isha shumë i mirë, por në regji do isha i mirë.

Ledri u ndal në një pikë shumë të rëndësishme si ajo e “Top Fest”.

Para “Top Fest” me Ermalin edhe me Lumin kisha shoqëri. Prej këngës “Tavolina”. Kur kemi dëgjuar “Shko”, po mendonim për “Top Fest”. Njerëzit ishin mësuar të na shihnin bashkë. Kemi vendosur të shkojmë në “Top Fest”. Kur kemi marrë pjesë, unë dhe Lumi mendonim që ka qenë gabimi më i madh që shkuam në “Top Fest”, ndërsa Ermali po flinte. Unë këmbëngulja që gabuam. Kur filloi të pëlqehej kënga, mendonim që kemi bërë mirë.

Kur dolëm në skenë, edhe po mos të fitonim, veç atë emocion që kemi marrë atë natë, jo vetëm që ia vlejti, por janë momente për të cilat jeton që t’i kujtosh. Kur kemi fituar ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Unë kam qenë edhe në “Top Fest 2”, dhe nuk u kualifikova. Kur kemi fituar, kam festuar atë natë. “Top Awards” më ka pëlqyer ndoshta më shumë se “Top Fest”. Shumë ndjenjë e mirë, shumë natë e bukur. Por nuk ma ka marrë dashurinë e “Top Fest”…

Artisti gjthashtu na njeh me një pjesë të vetes së tij.

Jam tepër introvert. Sa herë dal, jam pak i mbyllur. Është e vështirë të dal jashtë, por kur dal, është e vështirë të kthehem. Kohët e fundit po dal më shpesh, edhe kam dalë pak prej vetes, jam kënaqur më shumë seç mund ta mendoja. Jam bërë pak ekstrovert. Jam i afërt me mbështetësit, jo fansat. Jam i afërt me të gjithë. Kam qejf të rri me njerëz sepse asnjë njeri në botë nuk e ka karakterin e njejtë, historinë e njejtë. Pak edhe regjia ma ka bërë këtë, prej secilit njeri mëson diçka. Kurrë nuk kam një paragjykim për dikë. Kam raport të mirë. Mënyra më e mirë për t’i shpërblyer është me muzikë, por sa herë më thërrasin për një takim, mundohem të gjej kohë, jam munduar të jem prezent.

Ndonjëherë i stërmendoj gjërat, edhe shkoj me planin e parë. Pra gjatë kësaj kohe vetëm kam lodhur veten. I besoj shumë intuitës. Kur mendon pak negativisht për një projekt, ashtu shkon. Të mendoj pozitivisht. Ndonjëherë i strmendoj gjërat, por ndonjëherë prekem prej fjalëve të njerëzve… Një defekt të vetes që do e kisha hequr, sa herë kisha ndonjë sukses, nuk kam festuar kurrë. Gjithmonë kam menduar çfarë do bëj tjetër. Duke menduar cilën këngë do bëj, cilin projekt do bëj, cilin koncert do bëj, nuk kam pasur kohë të festoj. Këtë defekt kam. Thithja energjinë e mirë. Gjithmonë jam duke menduar çfarë do bëj tjetër. Këtë ndoshta e kam pak defekt…

Ledri është një artist që krijon vetë, shumë autentik dhe origjinal. Artisti gjithashtu na zbuloi më tepër për albumin “10/10”, teksa rrëfeu emocionet dhe kujtimet e tij.

Albumi im i parë solo, është një autobiografi e imja. Kam shkruar rima, që nëse i çkodoj ka të bëjë gjithçka me mua, prej kur ja kam nisur, si jam rritur, edhe ku dua të shkoj. “10/10” e ka emrin e tillë sepse jam rritur me atë moto, që duhet të jesh i mirë, jo vetëm të dukesh i mirë. Në të gjitha aspektet duhet të jesh “10/10”. Ajo moto më ka ndjekur tërë jetën. Asnjëherë nuk mund të jesh perfekt, por të paktën përpiqu. Edhe nëse nuk je perfekt, bëhesh i mirë. Lufto për perfekt.

Shoqërinë me të cilën jam rritur, i kam, Mc Kresha, Festimi, Lumi, Gjiko, i kam në album. Është mirë të bësh vetëm, por ndonjëherë duhet të përshtatesh edhe me tregun. Unë gjithmonë përshtatem me publikun. Nuk mund të jesh pa kritika, por të mbash një balancë.

Në një rrëfim shumë të sinqertë, Ledri u shpreh jo vetëm për anën profesionale, por edhe për atë personale, teksa tregoi edhe për marrëdhënien me Sarën.

Më Sarën jam njohur shumë rastësisht. Në një koncert në Gjermani, ku shoqet e Sarës donin të vinin të më shihnin live. Sara nuk më njihte. Më dinte këngët, por nuk e dinte kush isha. Ka ardhur me shoqet. Kur erdhi të bëjë foto, më ka pëlqyer Sara. Më pas nisëm të flasim në Instagram, derisa e kam takuar. Për herë të parë e takova në Shqipëri, më ka munduar derisa e kam takuar. Publike u bë sepse na kanë parë njerëzit bashkë, dhe ka shkuar virale. Herë të tjera më pengonte nëse e dinin, me Sarën nuk më bezdiste.

Sara është pak më ekstroverte, nuk është e mbyllur si unë. Ia thotë njerëzve gjërat në sy, unë gjej një mënyrë si mos ta lëndoj dikë. Sara është më e drejtpërdrejt. Çfarë nuk kam unë, e ka Sara, çfarë nuk ka ajo, e kam unë. Jemi një ‘team’ bashkë. Më pëlqen edhe kur udhëtoj me Sarën. Është shumë e organizuar.

Ndërkohë, Ledri tregoi më tepër edhe për rëndësinë që vajza e tij Poem ka.

Prindërit kanë pasur vetëm mua, kam qenë një fëmijë. Prindërit mua më kanë pasur përpara. Prindërit vdesin për mua. Që do vinte dita që unë do vdisja për dikë, nuk e kam besuar. Asgjë nuk bëj për vete, gjithçka e bëj për të. Gjithçka që bëj sot e bëj për të.

Por cila është një këshillë që Ledri jep në “A Live Night”?!

Një këshillë nëse do ia jepja dikujt, asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh. Në këngën e parë, nuk e dinë kush je, nuk e dinë sa i fortë je. Kur ke kohë që ke shkruar, ke inçizuar, e dinë. Nuk duhet të ndalesh. Sot është shumë e vështirë sepse ka shumë shpenzim një klip, por ka njerëz kreativë që po i bëjnë me pak para. Rri vetja. Mos dil prej vetes, të bëhesh dikush ndryshe. Nëse je vetja, nëse je origjinal, njerëzit do të gjejnë diçka të mirë te ty. Askush nuk është i njejtë, me karakterin e njejtë, me historitë e njejta. Diçka do e gjejnë tek ti, do e pëlqejnë. Nëse ti merr një tekst dikujt, shndërrohesh në dikush që ka qenë më herët. Nëse punon, do të t’i falë 5 minuta universi. Nëse nuk punon, nuk të vijnë. Nëse i kap ato 5 minuta, shfrytëzoji, sepse edhe ato ecin…

Por çfarë do t’i thoshte artisti Ledrit më të ri në moshë?! Ja çfarë zbulon ai në “A Live Night”.

Nëse do kisha takuar veten si fëmijë, nuk do doja t’i tregoja se çfarë do të ndodhë, përsëri do ia kisha lënë surprizë. Do kisha pasur të shihja veten në disa situata… Por për t’i folur nuk do i flisja, do e lija të ishte vetja, siç më kanë lënë mua prindërit e mi…