Ernest Duka, i njohur me emrin e tij të artit Stine, është një këngëtar dhe kantautor i njohur në trevat shqiptare. Ai ka fituar një vend të veçantë në muzikën shqiptare falë stilit të tij të veçantë dhe këngëve të paharrueshme që ka krijuar gjatë karrierës së tij. Shumë nga këngët e tij kanë pasur një ndikim të madh në muzikën moderne shqiptare dhe janë shndërruar në hite të dashura nga një audiencë e gjerë.

Në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurti, Stine ka ndarë me publikun historinë e tij muzikore dhe eksperiencat që kanë shoqëruar rrugëtimin e tij artistik. Ai ka folur për sfidat dhe arritjet e tij, si dhe për momentet që e kanë formuar si artist. Stine është një nga ata artistë që ka pasur ndikim të rëndësishëm, duke sjellë gjithmonë një frymë të re dhe inovative në muzikën shqiptare.

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, Kozeta dhe Stine u rikthyen pas në kohë, gati 22 vite më parë, kur ata janë takuar për herë të parë pikërisht në koridoret e Top Albania Radio. Stine më pas arriti të krijonte hitin e tij të parë “Ishe ti”, i cili u kthye në suksesin më të madh artistik që kur ai ishte tek fillimet e të njëzetave. Si lindi kjo këngë dhe si e priti Stine në atë moshë?

Unë kam pasur dy diktofone që m’i kishte bërë dhuratë motra, që jetonte në Greqi në atë kohë, por diktofonët kishin atë që ne sot i themi ‘voice record’ (regjistrues zëri). Kishte një kasetë të madhe ajo, jo të vogël, dhe unë kam pas një tastierë që e kam blerë 100 marka në një treg në Gjermani që është me gjëra të përdorme. Ajo tastiera kishte katër pista, që mund t’i ndaje dhe aty nisja të gjitha kompozimet që i bëja dhe i hidhja tek diktofoni i parë. Inçizoja orkestralin, vendosja ‘play’ diktofonin e parë dhe regjistroja tek diktofoni i dytë vijën melodike në atë kohë. Kështu ka nisur. 

Po në lidhje me pjesëmarrjen e tij në “Top Fest”, si u bë i mundur ky rrugëtim?

Në 2004 mora çmimin e parë në Top Fest. Në 2005 nuk mora pjesë sepse jetoja në Gjermani dhe në atë kohë bëra gjithë albumin. “Ishe ti” ishte kënga ku e gjithë shoqëria që e kam pyetur më thanë që ishte me mëdyshje. Asnjë nuk e pëlqeu. Se unë jam tek ritmiket. Thashë ta fusja si ‘bonus track’. Pikërisht ajo goditi. Asnjëherë nuk i dihet këngës. Kjo është definitive.

Muzika në jetën e tij si artist nuk ka ardhur rastësisht. Ai ka pasur një raport të ngushtë që në adoleshencë me këtë industri, ku ndër të tjera kujton:

Unë kam dëgjuar çdo muzikë që ishte e bukur. Siç ndodhën ato evolimet nga diktatura, që ishin vetëm këngët e festivalit, tek shpërthimet e tejskashme me muzikën e botës. Kemi dëgju mikse. Kanë kaluar shumë breza dhe unë gjithmonë i lidh brezat me muzikën.