Në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike këngëtari i njohur Klint Çollaku. Ai ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “Shihemi n’kujtime” që është bërë pjesë e “The Top List” këtë javë.

Si ka qenë Klinti këto ditë me angazhimet?

Ka qenë shumë mirë, kam qenë i angazhuar me muzikë live por për pjesën e krijimeve kam ngelur, nuk kam krijuar sepse edhe kënga e re ka pak që ka dalë dhe nuk kam pasur motiv. 

“Shihemi n’kujtime” çfarë domethënie ka për artistin?

Është një këngë goxha e kopsitur, profesionale sepse është punuar shumë për vijën melodike dhe për tekstin. 

Sa domethenësë është titulli i këngës?

Këngën nuk e kam bërë unë, thjesht e kam kënduar. Është një këngë e bërë nga 3 miqtë e mi të ngushtë që na ka frymëzuar një histori që e njohim. Duke ditur karakterin e njëri-tjetrit është shkruar teksti. Është stil që nuk e kam kënduar më parë dhe kam nxjerrë disa anë të zërit tim që nuk e dija që i kisha. Ndihem shumë mirë me këtë këngë, kam dashur të eksperimentoj për një baladë tipike sepse u bë disa vite që jam në fushën e muzikës dhe është e rëndësishme që artisti të eksperimentojë me veten e tij.

A është kjo një rrugë për të shkuar në një tjetër mjedis muzikor?

Me të vërtetë kjo nga të gjitha këngët e mia është një këngë që nuk është ndikuar nga trendet e muzikës që qarkullon sot, është këngë artistike që ka dashur shumë punë dhe nuk është menduar sa i përket klikimeve, është një këngë shpirti.