Butrint Imeri ka kryesuar klasifikimit e “The Top List” për 6 javë rresht por artisti ka vendosur ta mbyllë këtë vit me një tjetër sukses.
“Bakllava” titullohet prurja më e re e Imerit, i cili kësaj radhe ka përzgjedhur si bashkëpunëtor të tij, reperin e dashur të publikut shqiptar Gjikon. Dyshja e famshme ka zgjedhur këtë titull mjaft interesant, i cili i përshtatet më së miri festave të fundvitit. Edhe pse nuk tregojnë recetën e bakllavasë, Butrinti dhe Gjiko kanë ditur si ta përdorin këtë fjalë tepër të dashur momentalisht në prag festash.
Falë mbështetjes së madhe nga ana e fansava të dy artistëve, kjo këngë është ngjitur me 15 pozicione nga java e kaluar, duke u shpalluar kënga më e dëgjuar dhe e votuar e javës në muzikën shqiptare, duke kryesuar klasifikimin e fundit të vitit 2018-të.
Prurjet e reja nuk kanë munguar as këtë javë në “The Top List” pasi 7 të tilla i janë shtuar klasifikimit, ku disa prej tyre janë renditur në zonën e nxehtë të listës zyrtare të “Top Awards”. Këngët e renditura më mirë janë “Nuk ia vlen” e Eneda Tarifës dhe “Endrrat e mia” e Alban Ramosaj të cilat pozicionohen ekzaktësisht në vendin e 4-t dhe të 5-të ndërsa vendi i dytë dhe i tretë i përket “Aje” dhe “Mori””.