Ka qënë qershori i vitit të kaluar kur Klajdi Haruni ishte pjesë e “The Top List” me bashkëpunimin e tij më Bruno, “Mbase”. Artisti ka vendosur të bëjë një pauzë sa i përket prurjeve të reja muzikore, pavarësisht se vazhdon të performojë nëpër klube të ndryshme si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Klajdi Haruni rikthehet me “Shiu i veres”

Pas kësaj pauze muzikore, Klajdi Haruni ka vendosur të rikthehet më romantik se kurrë, duke sjellë koverin e një prej këngëve më të njohura të dashura për publikun shqiptar, “Shiu i verës”, kënduar nga Naim Krasniqi.

Shiu i veres”, një këngë kënduar nga Naim Krasniqi, të cilën e kam pëlqyer që fëmijë”, shkruan në një postim në “Instagram” Klajdi, duke falenderuar Florin dhe Brunon për mënyrën e ëmbël që ata e kanë sjellë si edhe Vik Krajën për videoklipin.

Ndërsa miku i tij, Flori ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për promovimin e këngës të sjellë nga Klajdi, duke shkruar një frazë të këngës: “Sa shumë të doja vetëm kur më thoshe t’lutem mos u ndal shi...”

Po çfarë po ndodh me katërshen e njohur të “Threedots”, Flori, Bruno, Klajdi dhe DJ Vicky?

Nëse pak më lartë përmendëm pauzën muzikore të Klajdit, në fakt një periudhë të tillë kanë patur edhe anëtarët e tjerë të “Threedots”, Flori, Bruno dhe Dj Vicky, duke mos publikuar prurje të reja muzikore dhe duke mos qënë tepër aktiv në rrjetet sociale.

Ndërkohë që në media, Flori Mumajesi u diskutua gjatë për mungesën e tij, vetë ai vendosi të rikthehej në rrjetet sociale me një video përmes së cilës falenderoi të gjithë miqtë dhe dashamirësit e muzikës së tij për dashurinë e treguar ndaj tij. Në postimin e tij ai shtoi gjithashtu se do të rikthehej shumë shpejt pranë publikut të tij, qoftë si Flori fizikisht ashtu edhe si Flori në muzikë.

Nga ana tjetër Dj Vicky, në fillim të muajit gusht, bëri një postim në Instagram, përmes të cilit lajmëroi se do hiqte dorë nga muzika, industri që sipas tij sa vjen dhe shëmtohet çdo ditë, duke u ndjerë shumë i lodhur shpirtërisht. Ndërkohë në një intervistë të dhënë së fundmi për Rudina Magjistarin, Vik Kraja ka zbuluar se nuk ka hequr dorë nga muzika por nga monotonia që ka përfshirë industrinë. Ai ka premtuar se në fund të tetorit do të sjellë diçka krejtësisht ndryshe që përveç muzikës, do të jetë lidhur edhe me një tjetër pasion të tij, dizajn.

Përpos peripecitive, “Threedots” mbeten gjithmonë të bashkuar

Anëtarët e “Threedots” qëndrojnë gjithmonë të bashkuar, edhe kur gjendet në kulm të suksesit edhe në vështirësi. Nëse do shohim urimet e bëra ndaj njëri-tjetrit për ditëlindje, do kuptojmë qartë që mes anëtarëve ekziston diçka më shumë se shoqëri, pra kemi të bëjmë më një familje, me plotë kuptimin e fjalës.

“Threedots” vendosin të rikthehen

Ndërkohë që Klajdi ka bërë rikthimin e tij me “Shiu i veres”, Bruno ka vetëm pak orë që ka publikuar këngën e tij më të re, e cila është një bashkëpunim me Shkurte Gashin, të titulluar “Jeten tende” ndërsa Vik Kraja ka zbuluar se do të rikthehet më 31 tetor krejtësisht ndryshe. Sa i përket Flori Mumajesit ende nuk ka një deklaratë nga ana e tij për projektin e radhës por një gjë është e sigurt, fansat janë sy e veshë nga artisti i tyre i preferuar.

https://www.youtube.com/watch?v=By8JD-FN_hQ