Vera nuk do të quhej e plotë pa Mc Kresha dhe Lyrical Son! Dyshja nuk i ndalin projektet e tyre muzikore dhe ne nuk mund të ishim më të lumtur se kaq!
Nëse menduat se kishit parë e dëgjuar gjithçka nga albumi i tyre i ri, na lini t’ju themi që e keni patur gabim. Kjo verë e gjatë, duket se ka ‘zgjatur’ edhe muzikën…
“Salihi & Ferizi” vjen tashmë me një version më të zgjatur. Tashmë i disponueshëm në të gjitha platformat digjitale, ky version i albumit përmban këngë që do të na shoqërojnë gjithë verën.
Projekte solo dhe bashkëpunime, këngët e reja erdhën me plot surpriza. Ky version përmban “Chilavert”, “ATM”, “N’andrra” me Phantom, “Pretty Gal” me Ya-Nina, “Klloshari” me Llunin, “Bently” me Tayna dhe “Rendezvous” me Shpat Dedën.
Nga këto shtatë projekte, vetëm njëri ia ka dalë që të marrë më së shumti votat e publikut dhe të hyjë në klasifikimin e kësaj jave. Bëhet fjalë për bashkëpunimin e Mc Kresha dhe Lyrical Son me Shpat Dedën, “Rendezvous”.
“Rendezvous” është shumë më shumë se një këngë rap. Mc Kresha dhe Lyrical Son, si gjithmonë na bëjnë për vete me muzikën, tekstin, ndjesitë dhe energjinë…
Por prekja e Shpat Dedës e ka çuar këngën në tjetër nivel. “Rendezvous” është një këngë që sfidon publikun të përvetësojë notat e një takimi erotik, tërheqës dhe emocional.
MC Kresha dhe Lyrical Son sjellin energji lirike dhe narrative, ndërsa Shpat Deda me vokalin e tij e pasuron kompozicionin me një dimension melodik dhe ndjesi të thella. Kjo krijon një atmosferë ku rap-i dhe zëri vokal ndërthuren në një krijim kaq perlë që prodhon tërheqje, stil dhe intimitet.