Kejsi Tola prezanton më në fund të gjithë albumin e saj të ri. Artistja sjell kështu këngën e fundit nga “Frymë”.
“E huaj” është kënga përmbyllëse e këtij projekti, që vjen në klasifikimin e kësaj jave të “The Top List”. “Frymë” shënon një kapitull të rëndësishëm në karrierën muzikore të artistes, ku çdo këngë ka sjellë një copëz ndjesie dhe krijimi artistik të pashoq.
“Frymë”, albumi i fundit nga Kejsi Tola, është pikërisht një rrëfim i sinqertë artistik që i ka dhënë zë mendimeve dhe emocioneve që shpesh mbesin të pathëna. Dhe tani, me publikimin e këngës “E huaj”, ky udhëtim merr fund, por jo pa lënë një jehonë të fortë.
“E huaj” është një baladë e qetë në sipërfaqe, por e trazuar në thelb. Ajo flet për një ndjenjë të njohur për shumëkënd, kur ndodh të jesh pranë dikujt dhe njëkohësisht ta ndjesh veten larg, të huaj, i panjohur mes kujtimeve.
Albumi “Frymë” ka qenë një eksplorim i brendshëm për Kejsin, ku janë ndërthurur zhanre të ndryshme muzikore, por gjithmonë me një vijë të qartë artistike dhe me identitet të theksuar. “E huaj” është një përmbyllje poetike dhe reflektuese e këtij rrugëtimi.