I ftuar në një lidhje telefonike në emisionin Lancio ka qenë këngëtari Julio Imeri, i cili ndodhet fizikisht në Greqi, ku edhe po ndërton hap pas hapi karrierën e tij në industrinë muzikore të atij shteti. Projekti i tij i fundit, që është gjithashtu pjesë e “The Top List” falë votave të publikut, titullohet “Ishim Gjithçka”. Ajo vjen në formën e një balade ku ai luan vetë me piano dhe dëshmon më së miri talentin e tij dhe bukurinë e këtij materiali.

Në lidhje me këtë projekt, ai u shpreh:

Nuk jam unë artisti zyrtar që e kam kënduar. E kam shkruar për një kolegun tim gjashtë vite më parë. Duke qenë se ka qenë kënga ime e parë shqiptare që kam shkruar, vendosa që ta publikoj me versionin tim, në një piano, në shtëpi me atë intimitetin që kërkon kënga.

Artisti ka shumë vite që krijon muzikë. I pyetur se çfarë ka projektuar rreth karrierës së tij, Julio tha:

Përsa i përket ‘covers’ unë kam hequr dorë, po bëj dy vite që nuk kam publikuar më në YouTube. Për momentin, jam i fokusuar në projektin tim të parë të madh, një mini album, por do të shtohen të tjera në vazhdim. Janë gjashtë këngë, ky dy prej tyre janë publikuar “Arsye” dhe “Më harro”. Janë edhe katër këngë të reja që po i përmbledh në një mini album në bazë të një tematike. Ky është projekti im i parë i madh në shqip që do të publikohet në fillim të tetorit dhe jam shumë i emocionuar përsa i përket kësaj.

Duke qenë se ai po jeton dhe po zhvillon karrierën e tij në Greqi, artisti u pyet se përse ka zgjedhur të krijojë një projekt në gjuhën shqipe. Ai u përgjigj:

Kjo puna e këngëve shqip ndodhi pa e planifikuar, është diçka që rrodhi vetë, një frymëzim i momentit. Nuk kam limite përsa i përket kreativitetit. Baza ime është në anglisht sepse po mundohem të fus këmbët në industrinë e muzikës në Greqi. 

Sipas Julio Imerit, çfarë i dallon artistët shqiptarë dhe ata grekë?!

Nuk mund t’i fus të gjithë në një thes sepse si në Shqipëri që ka artista që janë elita e artistëve edhe këtu ka. Artistët elitë sipas meje në Shqipëri janë ata që kanë më shumë popullaritet si Dafina Zeqiri, Luiz Ejlli. Unë kam qenë fans i Dafinës, pavarësisht se është më konverciale këto momente, por në fillim ka qenë më melodioze.

I pyetur nëse do donte të kishte këtë popullaritet, dhe pse jo të bëhej pjesë e “BBV” në Shqipëri, Julio tha:

Nuk ma ka shumë qejfi të bëhem pjesë e emisioneve në televizion. Jam më shumë i fokusuar se çfarë do të bëj me karrierën time dhe me performancat live, sepse qëllimi im është të kem muzikë të mirë, të rritem si artist dhe të shkoj para njerëzve e të këndoj. Nuk më pëlqejnë shumë emisionet.