Suksesi i Julio Imerit është i shpërndarë përtej kufinjve shqiptarë, por emri tij ka arritur “të godasë” Shqipërinë. Jo vetëm për suksesin e tij, por edhe për faktin që Greqia po i jep një mbështetje dhe një vëmendje shumë të madhe.

Pas disa coverave të artistëve më të njohur, Julio tashmë ka ardhur me projektin e tij “Ishim gjithçka”. Me një zë mjaft të ëmbël, tekst prekës dhe një videoklip të thjeshtë por tërheqës për syrin, Julio ka arritur që të depërtojë thellë në brendësinë e shpirtit të publikut.

Kjo është dhe një nga arsyet që ky projekt ka tërhequr menjëherë vëmendjen e audiencës, të cilët me votat e tyre e kanë futur në klasifikimin e javës të ”The Top List”. E në fakt artistët e talentuar kanë pasur gjithmonë një vend të veçantë në Top Awards, ashtu si dhe Julio.

“Ishim gjithçka” është kënga e parë në të cilën Julio ka bërë tekstin dhe ka kompozuar muzikën. Ashtu siç shprehet ai, kjo këngë lindi si një frymëzim nga një sekuencë pianoje filmi që ai kishte në librarinë e tij në kompjuter.

Duke qenë se është një piano melankolike dhe e trishtueshme, i lindi ideja që të shkruante një tekst që flet për dashurinë e dy njerëzve, e cila ka marrë fund dhe nuk mund të jenë më me njëri-tjetrin. Versioni origjinal është publikuar me videoklip në vitin 2018 e performuar nga Orjent Memo.

Vetëm një muaj më parë, Julio vendosi që të publikojë versionin e tij të kësaj kënge, duke qenë se është mjaft e veçantë për të. “Ishim gjithçka” pozicionohet në vend të 61-të të listës për këtë javë.