Sot në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte e ftuar në studio këngëtarja e talentuar e këngës “Te Molla”, Jonisa. Së fundmi Jonisa ka publikuar albumin e saj të titulluar “Ego” i cili përmban 8 këngë.
Për më shumë rreth albumit dhe këngës me të njëjtin titull që ka hyrë në klasifikimin e kësaj jave, këngëtarja na ka treguar…
Albumin e mendova si një mënyrë të mirë për të pasur një profil. Jam fanse e ‘single’-eve sepse promovohen më kollaj por mendova që albumi do të ishte një fillim i mbarë për karrierën time. Me titujt jam përpjekur ta mbaj sa më tërheqëse. Pjesën më të madhe të këngëve i kam personale, shkruar edhe nga eksperiencat e treguara. Albumi i gjithi është një formë dedikimi. Albumi në fakt ka pasur 9 këngë por për disa arsye që nuk mund t’i them një prej tyre nuk u bë pjesë por do të dalë si ‘single’. Albumi erdhi solo, nuk e kam menduar thellë bashkëpunimin, quhet bashkëpunim në momentin që kam pasur njerëz të tjerë që kanë marrë pjesë në këngë, ka qenë punë në grup, nuk ka qenë pasaportë e imja.
Pse ka vendosur Jonisa ta quajë “Ego” albumin?
Ashtu e ndjeva ashtu e bëra(qesh). Unë si Jonisa nuk e kam egon e sëmurë por jam ambicioze, dua të arrijë gjërat që projektoj.
Si ndihet Jonisa kur e krahasojnë me këngëtaren e njohur Billie Eilish?
Ndihem mirë, jo dhe aq mirë, varet si më kap.(qesh)
Klipi i kësaj këngë, si lindi ideja?
Klipi është bërë nga Renato Balla, i cili është shumë i talentuar dhe është ‘Made Films’ kompania që është marrë me pjesën e vizualizimit, Gabriel Camaj është marrë më stilimin, jam me fat që kam patur mundësinë të punojë me ta. Klipi është xhiruar diku në Durrës dhe tek plazhi i Gjeneralit, nuk e mbaj mend mirë(qesh). Vështirësitë teknike i kemi marrë me të qeshur. Është një pjesë në fund të xhirimit, ishte shumë ftohtë, i kisha këmbët akull, plazhi ishtë baltë dhe unë që po vrapoja dhe u bëra pis. Ishte situatë gazmore. Zakonisht unë pasi i publikoj këngët e mia më qëllon mos të lidhem emocionalisht shumë por kur i dëgjoj më përcjellin prapë emocionin që kam ndjerë kur i kam krijuar.
“Ego” renditet për këtë javë në vend të 74-të në klasifikimin e “The Top List”.