Jonida Maliqi është një nga këngëtaret më me stil dhe padyshim që tanimë është edhe një blogere shumë e njohur në Shqipëri. Jo shumë aktive me këngë të reja, por gjithsesi nuk i ka munguar audiencës edhe me paraqitjet e shumta televizive. Së fundmi ajo ka sjellë këngën e saj më të re, “Hije”, për të cilën ka folur më shumë në “Live From Tirana”.

Si ndihesh pas publikimit të projektit tënd më të ri?

Jam shumë e lumtur. Sot po përjetoj emocionet pasi kam punar gjatë për një projekt të rëndësishëm, ashtu sikurse është dhe për çdo artist. Kur shikon ‘feedback’-un e menjëhershëm të reagimit të publiku, kjo është dashuria më e madhe që mund të marrë çdokush, për të gjithë punën që ka bërë, për të gjithë mundin, djersën dhe energjinë.

Prej sa kohësh po punoje për “Hije”?

Projekti “Hije” erdhi si një bashkëpunim me Boss Management, sepse unë më në fund pas 30 vitesh karrierë menaxhohem nga një kompani. E shikoj që ndryshimi është radikal për mirë, sepse duke jetuar në këtë tregun tonë,mendoj që çdokush prej nesh ka nevojë për suport për të patur një skuadër të rëndësishme dhe të mos jesh i detyruar që t’i bësh të gjitha gjërat vetë. Këtu e shikon menjëherë ndryshim dhe deri diku edhe suksesin. Duke patur këtë bashkëpunimne vendosëm që materialin e parë ta realizonim në një studio në Kosovë, ku producent ishte Çelik Lipa. Na u desh të kalonim 4-5 orë dhe aty u ngjiz i gjithë materiali. Patëm një vibe shumë të mirë. Ata ishin mjaft të hapur kundrejt çdo ideje që mund të jepja unë. Kështu që mund të them që të gjithë jemi bashkëautorë të këtij materiali.

Ishte ideja jote që të vije solo, apo do të presim një bashkëpunim së shpejti?

Unë i adhuroj bashkëpunimet, nuk hyj tek këngëtaret që dua të shfaqem e vetme. Por duhet marrë në konsideratë që unë ndër vite kam kënduar për pasionin dhe dashurinë e madhe që kam për muzikën. Nuk më është dashur kurrë të këndoj nëpër koncerte apo nëpër club-e, sepse nuk e kam një jetë të tillë artistike. Dhe nëse do të bëja një bashkëpunim, dua të jetë një bashkëpunim që të më përshtatet mua, të jetë i frytshëm, të jetë artistik, të jetë sipas atyre parametrave që unë kam pretenduar gjithmonë, që të mos kompromise me muzikën e me artin.

Kënga duket pak e trishtë…

Unë shquhem si një këngëtare baladash, këngëtare dramatike, kjo vjen si pasojë edhe të vokalit tim. Unë kam një vokal melo-dramatik, jam shumë pompoze dhe më shkojnë këngët e shtrira kryesisht. Na erdhi edhe gjendja emocionale dhe energjia në këtë formë, teksa krijonim këngën. Kur vendos fraza të gjata padyshim duhet edhe një histori e mirë. Mendoj që historia nuk ka të bëjë shumë me personalen time, porn ë disa fraza çdokush prej nesh e gjen veten detyrimisht. E gjitha erdhi në një formë shumë organike. Unë doja që të vinte si në formën e një misteri, e një filmi.

Do të kemi projekte të reja së shpejti?

Ne kemi material shumë të reja të cilat po i punojmë. Materiale të cilat deri diku kanë bashkëpunëtorë internacionalë. Kemi dhe bashkëpunime të reja që i kemi gati në furrë. Ashtu si kam premtuar dhe në fillim të vitit, po i kthehem dashurisë sime të parë muzikës, me qëllimin për të krijuar dhe për të ardhur sërish në skenë me artin tim, me atë që di të bëjë më mirë.