Alban Chela di si të krijojë hite. Pas suksesit me “Zonja & zotërinj” që u kthye shumë shpejt në një hit, ai nuk ka humbur aspak kohë. Albani ka publikuar së fundmi projektin e tij “Lonely” për të cilin na ka folur më shumë sot në “Live From Tirana”.

“Zonja & zotërinj”, bashkëpunimi yt me Besën rezultoi mjaft i suksesshëm dhe është tashmë një hit. Si e ke pritur këtë?

Ndihem shumë i lumtur që kënga është kaq e vlerësuar. Është një punë shumë e madhe pasi e kemi bërë  bërë të gjithën nga fillimi. Plus që ka qenë dhe për 3 javë në vend të parë në “The Top List”, prandaj jam shumë i lumtur.

Nga ana tjetër këtë javë ke publikuar këngën tënde më të re “Lonely”. Çfarë mund të na thuash rreth saj?

Është kënga e parë që e kam bërë vetëm pa firmosur me një label sepse doja të shikoja ku jam. Më pëlqen, është një këngë shumë e bukur. Shoh që po ecën mirë, reagimet janë shumë të mira dhe tani është pjesë e “The Top List”. I jam shumë falenderues publikut.

Ku e gjen ti motivmin tënd për të krijuar?

Motivimin tim e gjej tek natyra, kur dal në natyrë më lindin ide shumë të mira. Kur më vjen diçka në mendje e regjistroj në celelular dhe kur shkoj në studio e punoj. Jam shumë i lidhur me natyrën, prandaj dhe kam zgjedhur të jetoj pak më në periferi të Tiranës. Edhe kur dalim me miqtë, marrim kitarën, improvizojmë dhe jemi gjithë kohën duke regjistruar me celular, sepse ndryshe zhduket.

Cilat janë disa nga planet e tua për të ardhmen?

Vera që lamë pas ishte shumë e ngarkuar dhe tani po e rikuperoj kohën e humbur. Gati 90% të kohës jam duke punuar. Momentalisht po punoj në studio për disa projekte shumë të bukura. Kam bashkëpunime me artistë të huaj por edhe me shqiptarë. Primarja për mua është të bashkëpunoj me artistë të huaj, të bëj këngë për tregun ndërkombëtar. Sepse në këtë mënyrë mund të krijoj kontrata me kompani të huaja, të njihem edhe jashtë. Ndoshta të huajt mund ta kuptojnë më mirë muzikën që unë bëj. Këtu në Shqipëri nuk e kuptojnë shumë, kanë ngelur akoma tek muzika komerciale.

A ka pasur njerëz që në fillimet e tua nuk kanë besuar tek ti?

Po, ka pasur njerëz që nuk kanë besuar tek unë. Por po të besosh tek vetja, ti mund t’ia dalësh. Është mirë që të kesh njerëz që nuk besojnë tek ty sepse të motivojnë më shumë. Në të kundërt, ti thjesht gënjen veten.