Bes Kallaku rikthehet në skenë me projektin e tij më të ri muzikor, të titulluar “Rrëfim”. Kjo këngë nuk shihet vetëm si një produksion artistik, por edhe si një hap personal, që nxjerr në pah periudha të vështira dhe reflektime mbi jetën private të artistit.

Përtej dhimbjes dhe reflektimit, projekti mbart edhe një mesazh shprese. Ai rikujton fillimet e tij si 17-vjeçar, kur, sipas rrëfimit, përballej me vështirësi të mëdha, madje duke fjetur nëpër stola, përpara se të prekte suksesin falë dashurisë së publikut. 

Në një tjetër varg, ai thekson ndryshimin personal: “Tash nuk kam arsye as me pas mo vese t’kqija”, duke lënë të kuptohet për një fazë të re, më të qetë dhe më të pjekur në jetën e tij.

Teksa publikoi këngën në rrjetet sociale, Bes Kallaku e shoqëroi me një mesazh të gjatë dhe emocional, ku theksoi: “Ky rrëfim është e vërteta ime. U shkrua në ditët ku, ndonëse fjalët peshonin rëndë, unë zgjodha të hesht; e ku heshtja ime më ktheu në fajtorin e asaj historie… Ky rrëfim është Besi 17-vjeçar, që preku majat falë duartrokitjeve dhe dashurisë suaj… Është për mua që ngrita njerëz mbi supe, e teksa ata preknin dritën, mua më zhysnin drejt errësirës. Ky rrëfim jam unë, që edhe kur preka fundin, nuk e humba kurrë Zotin. Ky rrëfim jeni të gjithë ju, që keni humbur rrugën dhe po kërkoni pakëz dritë. Ky rrëfim është nëna ime, e cila më në fund po buzëqesh, teksa koha i riktheu djalin e saj… Ky rrëfim është për të gjithë ne, që kryqëzohemi, baltosemi dhe gjykohemi pa mëshirë… por sërish ngrihemi. Sërish besojmë. Sërish ndriçojmë”.