“Sekreti” ka qënë projekti muzikor që për herë të fundit e ka bërë Bojken Lako pjesë të klasifikimit të “Top Awards” por artisti është rikthyer sërish në listë dhe kësaj radhe më fuqishëm se kurrë.
Kantautori ka publikur dy projekte të reja muzikore brenda një periudhe të shkurtër kohore, ekzaktësisht branda tre javësh. Më 23 mars, Bojken ka publikuar një bashkëpunim muzikor me dyshen e talentuar të muzikës elektronike, ParadoX, “Home” dhe vetëm një javë pas saj, projektin “solo” “Dance on the Weekend”.
Në këto dy projekte, artisti ka zgjedhur të vijë ndryshe nga stili i mëparshëm muzikor, duke iu larguar paksa muzikës që për një kohë të gjatë e ka identifikuar atë, pra “rock-ut”.
“Home”, e cila i përket rrymës muzikore “tech house”, është një prodhim i “Bulza Entertainment”. Një këngë që ju bën të kujtoni njerëzit që ju kanë bërë të ndiheni mirë, është “Home”, e cila ka marrë sugjerimet maksimale nga ana e publikut dhe është futur menjëherë në klasifikim, duke u renditur në vendin e 43-të.
Ndërsa projekti “solo” i Bojken Lakos, të cilin artisti ka vendosur ta titullojë “Dance on the Weekend” na largon nga streset e javës, për të shijuar në maksimum fundjavën duke kërcyer.
Ky projekt muzikor i përket rrymës “retro-dance and alternative pop”, të cilës i janë shtuar disa motive të muzikës shqiptare folk.
Kjo këngë, e cila ju bën të kërceni jo vetëm në fundjavë, është një nga hyrjet e reja të klasifikimit për këtë javë dhe renditet në vendin e 17-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në listë.