Artistja Janex ka sjellë këngën e saj më të re, e cila titullohet “Loveless”. Momentalisht, ajo ka zgjedhur publikimin e projektit me versionin teskt, ku këngëtarja ka vendosur të këndojë në gjuhën angleze. Ajo ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ku na ka treguar më shumë mbi këtë projekt dhe jo vetëm.

Si lindi kënga “Loveless”?

Kënga “Loveless” ka ardhur shumë papritur sepse kam qenë duke u marrë ndërkohë me disa projekte të tjera muzikore dhe jo vetëm. Thashë që kjo po më pëlqen. Filloi të më vërtitej ky refreni që nuk më bënte sens në fillim, pastaj thashë se do ta regjistroj. Dhe ja ku doli si këngë. Jam shumë e lumtur me rezultatin. Edhe pse po mendoja që jemi në muajin e dashurisë, por në thelb e ka nuancën e pozitivitetit dhe ndjesisë së dashurisë edhe pse tituli përkthehet si “e padashuruar”. Është pop, por ka nuanca pak indie e pak alternative brenda.

Si e sheh veten dhe tregun shqiptar?

Unë mendoj që si artiste ajo që unë kam për detyrë të bëj është që të prodhoj muzikën që dua të bëj. Detyra ime mbyllet kur unë e nxjerr jashtë derës së studios dhe e sjell tek ju. Nëse merr vëmëndje në rregull por nëse jo, është diçka që nuk dua ta vras shumë mendjen pasi është një punë që i takon dikujt tjetër.

A mendon se disa gjëra duhet t’i shtysh më shumë që të marrin vëmendjen e duhur?

Pjesa e marketingut dhe e publikimit kushton shumë dhe duhet të gjesh personin e duhur. Është pak e vështirë që t’i gjesh ata menjëherë. Tani jam drejt asaj rruge, po punoj që ta bëj muzikën time të dëgjohet edhe më shumë.

A ke ndërmend të vish me një klip ‘shpërthyes’?

Po pres momentin e duhur. E kam në plan të sjell një product muzikor me një klip të fuqishëm. Dua që klipet të kenë njëfarë mesazhi dhe një peshë filmike, të kenë shijen e filmit. Nuk më pëlqen të dal në klip dhe të bëj sikur këndoj. Më pëlqen që të punohet me më me shumë detaje dhe mund. Do më pëlqente që muzika të flasi më shumë se paraqitja.