Janex, kantautorja me stil unik dhe identitet artistik të spikatur, ishte së fundmi në një lidhje telefonike me emisionin “Lancio” të moderuar nga Erma Mici. Edhe pse jo fizikisht e pranishme në studio, Janex solli përmes zërit të saj një energji të veçantë, duke ndarë me dëgjuesit përvojat personale dhe projektet muzikore në të cilat po punon aktualisht. Ajo foli për rrugëtimin e saj artistik, sfidat që ka kaluar dhe frymëzimin që e shtyn të krijojë muzikë me përmbajtje dhe stil të veçantë.
E njohur për pjesëmarrjen në The Voice of Albania, Janex ka fituar vëmendjen e publikut jo vetëm për zërin e saj të veçantë, por edhe për zgjedhjen që të krijojë këngë në gjuhën angleze, duke synuar një audiencë më të gjerë. Ajo ka ndërtuar një stil modern që ndërthur tinguj elektronikë me tekstet personale dhe të ndjera, duke u dalluar si një artiste që nuk ndjek trendet, por i krijon ato. Në intervistën telefonike, Janex dëshmoi se mbetet një zë autentik në skenën muzikore shqiptare me ambicie ndërkombëtare.
Në këtë program, ajo ka qenë pjesëmarrëse së bashku me motrën e saj, ku njiheshin kudo me togfjalëshin ‘motrat Kumëria’. Me largimin e saj drejt SHBA, u desh që që të shkëputej nga tregu shqiptar, por tanimë pas 10 vitesh, si ndihet ajo për fillimet e saj?
U bë ca kohë të them të drejtën. Po bëj thuajse 10 vite në SHBA, kështu që u bë disa kohë. Më është bërë anglishtja gjuhë e parë.
Edhe pse larg atdheut të saj, ajo nuk u shkëput kurrë nga muzika.
Muzika mendoj që është një udhëtim që nuk mbaron kurrë, nuk i mbarojnë kurrë emocionet e sa herë që dal në skenë është sikur është hera e parë. Kështu që prandaj vazhdoj të bëj muzikë sepse më mban të gjallë në çdo aspekt të mundshëm.