Në muajin Janar shumica e artistëve shqiptarë vendosin të bëjnë një pauzë muzikore, duke mos prodhuar muzikë të re. Pas një sezoni të ngarkuar me koncerte në festat e fundvitit apo projekte të publikuara gjatë këtij sezoni, shumë këngëtarë zgjedhin të shijojnë disa pushime që sigurisht janë të merituara.

Viti 2023 që lamë pas ka qenë goxha surprizues dhe shumë i ngjeshur me projekte të reja muzikore. Dhe ja ku tashmë kemi hyrë në vitin e ri dhe përballemi me të tjera surpriza.

Janari është konsideruar një muaj pa shumë prurje të reja muzikore dhe ja ku e vërtetojmë edhe njëherë këtë javë. Këtë javë, në ndryshim nga ajo e kaluara që nuk patëm asnjë hyrje të re në listë, këtë herë kemi dy këngë të reja, “Guantanamo” nga Bennito dhe Big Basta dhe “Boshatisur” nga Sardi”.

Në fakt, kjo ‘ftohtësi’ e muajit janar, duket se tanimë është kthyer në një ‘trend’. Prej vitesh, ky fillimviti kaq i zbrazët na ka ndjekur e ende nuk po shohim një ndryshim.

2024 nuk solli diferencë, në këtë ‘rutinë’ që e karakterizon “The Top List” që prej vitit 2016. Kjo pauzë muzikore e artistëve, duket se po i përgatit ata për të ardhur sa më fuqishëm në muajin shkurt, i cili është edhe muaji i të dashuruarve.