Gjon’s tears është një tjetër talent shqiptar, qëllimi i të cilit është që zëri i tij të dëgjohet jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj. I lindur në Zvicër, Gjon Muharremaj është më origjinë shqiptare, babi nga Kosova ndërsa nëna nga Tirana. Pavarësisht se ka lindur në Zvicër, Gjon flet një shqipe tepër të pastër, duke ndërthurur dialektin e Kosovës me atë të Tiranës.

Po pse ka zgjedhur Gjon që emrin e tij të skenës ta ketë Gjon’s tears?

Pas këtij emri fshihet një histori mjaft interesante. I kontaktuar nga “Top Awards”, Gjon ka treguar: “Për emrin Gjon’s tears ose lotët e Gjonit më ka ardhur ideja kur gjyshi im ka ardhur nga Kanadaja në Zvicër për të më dëgjuar dhe një ditë që po i bija një pianoje elektrike, duke luajtur këngën “Can’t help falling in love” e Elvis Presley, gjyshi më tha se duhet ta vazhdoja patjetër muzikën pasi ishte diçka shumë e rëndësishme për mua”.

Teksa po performoja këtë këngë për herë të parë për gjyshin tim, pash që ai ishte me lot dhe tepër i emocionuar. Unë isha i vogël dhe po mendoja se si muzika ka këtë magji, jam ndjerë si superhero. M’u duk shumë e fortë ajo çfarë ndodhi dhe kështu që vendosa të mbajë këtë emër pasi është një episod i jetës sime që më ka prekur shumë“, shton Gjon.

Gjon momentalisht po shijon suksesin e projektin të tij muzikor “Babi”, i cili zë vendin e parë në “The Top List”, si edhe eksperiencën në “The Voice” në Francë, ku katër trajneret u kthyen për të.

Për ta njohur më shumë Gjon, ai ka rrëfyer historinë e tij për “Top Awards” si dhe ka folur më shumë për projektin “Babi”.

TA: “Babi” është projekti juaj i parë muzikor?

Gjon’s tears: Po, “Babi” është projekti im i parë muzikor, me tekstin dhe muzikën e së cilës jam marrë vetë unë. Kur isha më i vogël, kisha të tjera projekte por nuk i kisha krijuar unë por një kompozitor, dhuratë nga gjyshi.

TA: Për çfarë flet kjo këngë?

Gjon’s tears: Eshtë një këngë e shkruar gjysmë anglisht dhe gjysmë shqip. Ajo flet për një histori mes babait dhe djalit të tij dhe është pikërisht djali ai që i drejton këto fjalë babait të tij, i cili është një përdorues i alkoolit, duke i thënë: ” Pavarësisht se më kë bërë gjithë këto të këqija, unë t’i fal sepse të dua”.

TA: Pse vendosët t’i dedikonit një këngë babit?

Gjon’s tears: Babi është rrënja e pemës, është personi më i rëndësishëm së bashku me mamin. Kjo nuk është një histori personale, pra nuk i dedikohet babait tim. Zgjodha të bëj këtë dedikim pasi doja të trajtoja një histori ndryshe nga e imja pasi për mua ishte shumë interesante dhe e rëndësishme të flisja për temën e alkoolit dhe familjes.

TA: Ke qënë një nga konkurrentët e “Albania’s Got Talents”, si e përshkruan atë eksperiencë?

Gjon’s tears: Për mua “Albania’s Got Talents” ishte një eksperiencë shumë e veçantë dhe e bukur. Më pëlqeu shumë të takoja publikun shqiptar, andej nga është edhe origjina ime. Edhe pse më pëlqeu shumë, mendoj se isha shumë i vogël për ta jetuar eksperiencën plotësisht sepse tani që jam në “The Voice France”, e kuptoj se çfarë po më ndodh.

TA: Momentalisht jeni në “The Voice France”, si po e përjetoni këtë eksperiencë?

Gjon’s tears: “The Voice France” për mua është një eksperiencë e re pasi edhe pse kam bërë televizion kur isha fëmijë, nuk është e njëjta gjë pasi tani e kam një koncept dhe e di ku do të shkoj dhe se çfarë muzike dua të bëj. Muzika që unë krijoj, dëshiroj të pëlqehet si në Francë, Zvicër, Shqipëri dhe Kosovë.

TA: Që në javën e parë të publikimit të këngës, jeni futur në “The Top List”, duke zënë vendin e parë, çfarë do të thotë kjo për ju?

Gjon’s tears: Më bëhet shumë qejfi dhe prekem shumë pasi kam shumë dëshirë që muzikën tim ta pëlqejnë edhe të tjerët.

TA: E prisje këtë sukses të këngës “Babi”?

Gjon’s tears: Jo, nuk e prisja këtë sukses. Unë nuk mendoj se jam artist por një punëtor. Punoj muzikën dhe dua t’i bëj gjërat sa më mirë në mënyrë që njerëzit ta dëgjojnë, pëlqejnë dhe pse jo, ta votojnë.

TA: Një mesazh për të gjithë ata që kanë votuar këngën në “The Top List”, Top Awards…

Gjon’s tears: Faleminderit shumë njerëzit që kanë votuar për mua dhe uroj të jetoni të lumtur (qesh) dhe shpresoj që muzika ime t’ju pëlqejë dhe t’ju bëjë të ndiheni mirë dhe të qetë. Më e rëndësishme është që muzika ime të prekë njerëzit pasi ky është qëllimi im në muzikë.