I ftuar në një lidhje telefonike në emisionin e “Lancio” në Top Albania Radio ishte Ibro Deli, një artist multidimensional, një tekstshkrues, këngëtar, dizenjues, i cili krijon koncepte muzikë, video dhe çdo gjë që lidhet me art. Dukshëm një artist me kuptimin e plotë të fjalës, Ibro foli për projektin e tij shumë të suksesshëm “Sonata”.

Jam ndjerë shumë mirë kur “Sonata” u bë pjesë e “The Top List” dhe që tashmë ajo ka edhe audiencë në Shqipëri, gjë që nuk e kam pritur. Për “Sonata” kam gjashtë vite që punoj. E kam realizuar kur isha 17 vjeç. E kam shkruar dhe është realizur vokali në atë kohë. Por kam pritur momentin ideal për ta publikuar dhe e pashë  të nevojshme që pas 6 vitesh ta bëja. E kam ndjerë. Është një këngë që i jam përkushtuar.

Por cila është arritja e tij më e madhe me këtë këngë?!

Më vjen shumë mirë që ka patur njerëz që kur e dëgjuan thjesht janë ndjerë shumë të prekur dhe i ka bërë të ndjejnë diçka kënga. Kjo është arritja ime më e madhe.

Ndërkohë, ai gjithashtu ka treguar mendimin e tij mbi bashkëpunimet, teksa nuk ka munguar as përgjigja e tij se me kë artist dëshiron të bëjë një projekt muzikor të përbashkët.

Jam shumë i hapur ndaj bashkëpunimeve. Ka shumë artistë shqiptarë që më pëlqëjnë. Më pëlqen shumë Flori Mumajesi. Patjetër që do ta bëja një bashkëpunim me Florin. I ndjej këngët e Florit, sidomos këngët ikonike të tij. Flori është një ndër artistët më të mirë shqiptarë.

Nëse mendoni se artisti i numëron sukseset vetëm në Shqipëri, gaboheni. Gjatë intervistës ai na ka treguar se ka arritur një sukses shumë të madh, edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Kulmin e suksesit e kam arritur 17 vjeç me projektin e parë, i cili ka qenë në Top 10 në Kinë. Ka dalë në Rusi, në Japoni.