E ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtarja Kejsi Tola, e cila njihet si një nga artistet me zërin më të mirë dhe për këngët e saj shumë të bukura të dashurisë. Së fundmi, ajo ka publikuar albumin e saj të ri titulluar “Luminous”, i cili përmban pesë këngë të shkruara në gjuhën angleze. E pyetur për këtë zgjedhje, ajo u shpreh:
Nuk është se kishte një qëllim konkret, thjesht në fazat e karrierës, një artist shikon rrugën e tij dhe shikon pse jo të eksperimentojë në gjëra e këngë të ndryshme. Ishte një mendim i imi i momentit dhe mendova pse jo mos ta provoj. Dhe siç e kam thënë, kanë qenë disa mesazhe në Instagram që u kam dërguar producentëve të huaj dhe nuk e prisja që do të kisha një përgjigje.
Tashmë në fazën e promovimit të albumit të saj, në rrjet po përmenden emra mjaft të njohur që kanë punuar së bashku me Kejsin. Në lidhje me këtë temë, ajo pohoi:
Po, as vetë nuk e besoja kur kemi bërë kampin e parë në Paris me Ultra Music dhe të gjithë producentët aty ishin të nënshkruar me ta. Më pas, në kampin e dytë kur kemi qenë në Romë, filluan të shtoheshin producentët akoma edhe më të afirmuar. Njëri nga producentët është producenti që ka shkruajtur “Despacito” dhe ai ka shkruajtur këngën time “One Night In Barcelona”. Një grup tjetër ka punuar me Rihanna-n, Rauw Alejandro-n dhe Rosalia-n. Një tjetër që ka shkruajtur “All Night” është fitues i çmimit Grammy së bashku me Justin Bieber.
E pyetur në lidhje me rrugëtimin e ri dhe se si e sheh të ardhmen e saj, Kejsi është shprehur kështu:
Unë e kam thënë, kur publiku i do këngët e mia, në atë moment, ai është rrugëtimi im që do doja të zgjidhja. Më kanë pyetur shumë njerëz që tani po synon tregun ndërkombëtar, por unë nuk e di se si do të shkojnë gjërat. Unë i falenderoj shumë sepse çdo këngëtar shqiptar e ka ëndërruar veten në skenat e mëdha, por nuk është se e kam nisur me këtë plan që patjetër gjërat do të shkojnë atje. Ky ka qenë një proçes dhe vazhdon të jetë një proçes dhe më vjen mirë që gjërat kanë ardhur gradualisht. Pata kohë ta kuptoj këtë proçes që jam tani.
Por Kejsi nuk e mbaron rrugëtimin e saj vetëm këtu, pasi ka vendosur që pas publikimit të këtij albumi, të vijë edhe me këngë në gjuhën shqipe:
Nuk jam shkëputur asnjëherë nga Shqipëria dhe unë kam lindur dhe kam jetuar me këtë publik dhe këtë projekt që është pak ndërkombetar e kam nisur këtu. Mendoj që në këto kohë muzika është bërë pak eksperimentuese, në qoftë se më para ishte e vështirë të bëje diçka në anglisht, sot është ndërkombëtarizuar. Mendoj që do bëj këngë në anglisht akoma, që i kam tashmë të përgatitura. Ne kemi menduar të fusim fjalë shqip në këngë të ndryshme dhe ndoshta ky do jetë një plan tjetër me shkrimtarë dhe producentë shqiptarë dhe të huaj. Kam disa gjëra në kokë. Po e shijoj, nuk ka qenë e thjeshtë.
Në lidhje për realizimin dhe konkretizimin e këtyre projekteve, Kejsi ka vendosur të ndajë me ne nga një përshkrim të vogël për disa nga këngët e albumit, si më poshtë:
Do Me Like That
Është krijuar në kampin e parë në Paris. Është një këngë shumë e dashur dhe është një nga ato këngët që më ka goditur që në fillim dhe është e vetmja që ka ‘mbijetuar nga ai kamp’, sepse janë shkruar shumë këngë dhe vetëm kjo është zgjedhur. Ka një tekst pak të ndërlikuar dhe me një histori, por mua më jep gëzim edhe pse teksti nuk është aq i gëzueshëm.
One Night In Barcelona
Ka shumë persona që e komentojnë këtë këngë. Fansat e Eurovision-it kanë një vizion tjetër për mua ndryshe nga publiku në Shqipëri, pasi më kanë parë të këndoj balada më shumë. Ndërsa e vetmja këngë që kam kënduar për ta është “Carry Me In Your Dreams” dhe është një këngë ritmike, që unë kam kërcyer aty. Sa herë që shkoj në festa, ata e kërcejnë këngën dhe i dijnë të gjitha fjalët. Dhe gjithmonë më kanë kërkuar një rikthim. Kjo këngë është e kapshme, komerciale dhe është edhe Barcelona aty brenda që të gjithë ‘vdesin’ për Barcelonën. Kam dëshirë t’i bëj një videoklip, ndoshta do të jetë kjo.
Distraction
Edhe kjo këngë është shkruajtur në kampin e studios në Barcelonë. Na ka ngritur të gjithëve. Është kënga më ritmike e albumit. Ka një gëzim më vete. Studioja aty ishte një tjetër ndjesi, koridor i mbushur me foto të këngëtarëve që kanë regjistruar aty. Ata njerëz ishin aq puntorë, aq humanë. Eksperiencë fantastike.