E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtarja Gigliola Haveriku e cila vetëm disa muaj më parë është bërë nënë për herë të parë. Si ka qenë kjo periudhë e re e mëmësisë për të?

Mund të kisha të gjithë dijet e botës lidhur me prindërimin, por nuk je kurrë e përgatitur. Është një eksperiencë që ti nuk e pret. Të gjitha mamat janë të ndryshme nga njëra-tjetrat dhe fëmijët po ashtu janë komplet ndryshe. Më kanë thënë ‘përgatitu që të mos flesh natën’, por në fakt unë më shumë kam fjetur pasi u bëra mami se sa gjatë periudhës para kur punoja në studio. (qesh)

Ndryshon rrjedha e jetës dhe përditshmërisë, por unë nuk kam pasur një ndryshim në karakterin tim. Kam zbuluar një anë timen që nuk e njigja, që është kjo ana e përkushtimit, një Gigliola shumë e fortë, me shumë durim, edhe e qetë. Jam një ‘rockstar’ e moderuar tani. (qesh)

Duke qenë dhe nënë dhe artiste, si e mexhon kohën që të mos lësh pas dore dhe artin tënd?

Ka qenë pak e vështirë që unë të shkëputesha nga goca, por fatmirësisht kam ndihmë shumë të madhe, kam mamin tim që është gjyshe me kohë të plotë, po ashtu dhe partneri më ndihmon shumë. Por këtë pjesën e shkëputjes e kisha pak problem sepse më rrinte mendja aty, nuk përqëndrohesha dot në punët e mia, por pas 6 muajve të parë fillova të kisha një përqëndrim më të madh dhe një menaxhim më të mirë të kohës.

Je duke u marrë me një projekt të ri muzikor?

Po, e përfundova një material të ri muzikor që ka të bëjë me ndjenjën time të re, që është ndjesia e mëmësisë. Është një histori e jetës sime ku kam treguar hap pas hapi çdo gjë deri në momentin që u bëra nënë. Unë e kam për vajzën këtë këngë, por gjithsecili mund ta gjejë veten me një person të dashur tek kjo kënga dhe kam dashur vetë që të ishte në këtë formë. Shumë shpejt do ta nxjerr.