“A mjaftojmë” është kënga e publikuar vetëm pak ditë më parë, e frymëzuar nga seriali i suksesshëm “Snob” i cili përfundoi sezonin e tij të parë në Top Channel. Protagonistët e kësaj kënge janë njëkohëshisht edhe dy nga personazhet kryesore që kemi parë në këtë serial, Gent Disha dhe Ketjona Pecnikaj.

Po ashtu edhe klipi përfshin disa nga momentet më domethënëse dhe më të bukura të serialit, disa nga skenat që e kanë bërë bashkë çiftin në fjalë. Së fundmi ata kanë qenë të dy në studion e “Wake Up” për të promovuar këtë këngë që të mbetet në mendje dhe të jep atë ndjesinë e nostalgjisë, të pasigurisë, të një dashurie jo të lehtë, me shumë sfida…

Si e kanë përjetuar ata këtë këngë? Ketjona shprehet:

Ka pasur shumë emocione nga ana ime. Unë kam punuar shumë se për t’u rikthyer në këngë do shumë punë. Ndërsa për aktrimin e kam pasur më të thjeshtë. Genti e ka pasur më të lehtë pjesën e të kënduarit. Në serial nuk më është dashur shumë punë por në këngë e kam pasur shumë të vështirë.

A e ka lodhur ndopak Ketjona Gentin sa i përket këngës? Ai përgjigjet:

Jo. Kur bëhet fjalë për punë unë nuk lodhem asnjëherë. Jap gjithmonë maksimumin tim. 

Si erdhi ideja e krijimit të një kënge së bashku?

Dalinës i erdhi ideja gjatë kohës që po xhironim serialin për të bërë një këngë. E kemi pasur në mendje dhe erdhi momenti ta realizojmë.

Sa e gjetën ata veten tek “A mjaftojmë”?

Genti: Personalisht e gjeta veten, por më shumë te Albani, tek personazhi. Kënga i është përshtatur rolit.

Ketjona: Aq rehat kam qenë sa dhe lotët më shkonin duke interpretuar këngen. Vetë kënga i përshtatet çiftit Tesa-Alban.

Sa i përket pyetjes se ku janë gjendur ata më mirë në aktrim apo në këngë, Ketjona përgjigjet se është ndjerë më mirë në aktrim. Genti nga ana tjetër pranon se në këngë është më mirë.

Si i bëri bashkë kjo këngë dhe a do të kemi një tjetër bashkëpunim nga çifti? Ketjona na tregon:

Do e shohim rrugës. Kënga ka qenë komplet rastësi, por unë kam studiuar dhe kanto.

A i ngacmojnë shpesh se janë një çift të dashuruarish?

Ketjona: Po. Na pyesin shpesh a jeni çift. Por jo. Ne kemi një kimi të madhe së bashku që nga fillimi dhe vazhdojmë që ta kemi.

Genti: Shumicën e kohës nëpër rrjete sociale kështu na thonë. 

Por çfarë mendojnë ata se mjafton në dashuri?

Ketjona: Në frazën e parë të këngës thuhet ‘a don më? A duhet me të ta shpreh?’ Unë marr parasysh problemet në çift. 

Genti: Çfarë të mjafton nga dashuria? Dashuria. E the vetë përgjigjen (qesh). Nuk është thjesht fjala ‘të dua’ por ka shumë gjëra të tjera.

“A mjaftojmë” renditet në vend të 100-të të klasifikimit në “The Top List”.