Renis Gjoka javën që shkoi u bë pjesë e “The Top List” me këngën e tij më të fundit, “Fjalët”. Në një intervistë eksluzive për “Top Awards”, Renisi ka folur më detajisht mbi këtë stil të ri që erdhi me “Fjalët” si dhe çfarë ka rezervuar ende për fansat e tij.

Pas koncertit “Rock The Dictator” që arriti sukses të madh dhe disa nga këngët hynë në klasifikimin e The Top List, a kishe të njëjtat pritshmëri për “Fjalët”?

“FJALËT” është një këngë e cila vjen fill mbas koncertit “RTD” dhe jo pa qëllim zgjodha të publikoj këtë lloj stili, baladë. Për të bërë pak kontrast me koncertin. Pritshmëritë sigurisht që i kisha dhe i kam, pasi ndaj këngës është investuar vëmendja dhe përkushtimi i duhur. Gjithashtu duhet thënë që është bërë edhe një punë e shkëlqyer nga bashkëpunëtorët.

Tek “Fjalët” shohim një anë tjetër më romantike të Renisit, ndryshe nga rockeri që jemi mësuar të shohim, do vazhdosh të krijosh projekte të tjera të këtij stili?

Në fakt, siç kam premtuar, pas koncertit e në vazhdim, do të jem mjaft aktiv me krijime të reja. U startua me “Fjalët”, për të mos u ndalur më, për një kohë shumë të gjatë. Për t’u kthyer tek pyetja juaj, po ju them një detaj. Nga të gjitha këngët që priten të publikohen në vazhdim, vetëm “Fjalët” është baladë. Të tjerat janë e kundërta. Sigurisht gjatë rrugës mund të ketë dhe ndonjë ndërhyrje tjetër, por për momentin ky është plani.

Mendon se publiku preferon më shumë Renisin romantik dhe të ndjeshëm apo stilin rock?

Mendoj që publiku ka afeksion ndaj meje të cilin unë e ndjej. Besoj se e rëndësishme është të jesh prezent me krijime të mira që i vlejnë tregut muzikor. Pastaj pjesa romancë apo rock, është në plan të dytë.

A mendon se rryma rock nuk po vlerësohet aq sa duhet në Shqipëri?

Po. Është e vërtetë. Duhet një suport dhe fokus më i madh mediatik ndaj rock-ut dhe pop-it, pasi alternativa që i ka zënë vendin është shumë më jocilësore, për të mos thënë e tmerrshme. Gjithsesi jam gjithashtu dakord me tezën që dhe vetë artistët shqiptarë përfaqësues të këtyre rrymave, nuk japin aq sa duhet. Ndaj, unë personalisht po bëj timen, duke shpresuar që edhe kolegë të tjerë të më ndjekin. Është një nga format më efektive për t’u imponuar në treg.

Cili është hapi i rradhës pas “Fjalët”?

Jam në dilemë midis 2 krijimeve. Gjithsesi shumë shpejt do marr vendim. Kënga e re del në fund të muajit nëntor.