Që Era Istrefi është shndërruar në një nga artistet më të preferuara në vend dhe në botë kjo tashmë është mëse e sigurtë. Kënga e saj “Bonbon” dëgjohet kudo dhe të gjithë shijojnë muzikën e saj të bukur.

Ndërkohë që është një nga artistet e cila rrëmbeu 3 çmime të rëndësishme në “Top Music Awards 2016”, duket se fama e saj ndërkombëtare sa vjen e rritet, duke treguar kështu që publiku shqiptar ka votuar artisten e duhur.

Së fundmi, blogeri i famshëm amerikan dhe personazhi i njohur televiziv, Perez Hilton, ka publikuar në uebsajtin e tij, një foto me këngëtaren shqiptare, duke treguar që “Bonbon” është një nga këngët e tij më të preferuara.

“Direkt nga Shqipëria në dhomën time të ndenjes. Unë jam i fiksuar me superhitin e Era Istrefit “Bonbon” dhe ndihem shumë i lumtur që m’u dha shansi ta takoja atë sot”, shkruan bashkangjitur postimit të tij blogeri amerikan, i cili ka intervistuar artisten.