E ftuar në këtë episod të “A Live Night” ishte një artiste shumë e dashur dhe e komentuar, pikërisht Fifi. Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, shumë e talentuar, por edhe shumë punëtore njëkohësisht, Fifi na zbuloi gjithçka në lidhje me dashurinë e saj të madhe muzikën. Hapat e parë, projektet e para, vështirësitë dhe sakrificat, njerëzit që e kanë ndihmuar përgjatë rrugëtimit e shumë të tjera zbuloi ditën e sotme Fifi në “A Live Night”. Sigurisht që nuk mund të mbetej pa u përmendur edhe jeta personale, ndjesitë dhe emocionet e artistes, teksa Fifi tregoi gjithçka nga fëmijëria e saj e deri te dashuria e vërtetë për të.
Unë e kam bërë një kompromis të vogël mes Fifit dhe Filloretës. Fifi është personazhi, ndërkohë Filloreta jam unë. Kompromisi që kam bërë është të jem e drejtpërdrejtë si Filloreta, të jem e sinqertë si Filloreta, edhe kompromisi që kam bërë për mos ta nxjerrë Filloretën, është që mos të qaj tërë kohën.
Filloreta dhe Fifi, sa janë të njejta, aq edhe nuk janë. Unë dua të jem Filloreta, por ndonjëherë duhet të jem edhe Fifi. Filloreta është arrogante, Fifi veç qesh.
Ndërkohë, Fifi solli kujtimet e saj nga fëmijëria dhe nga koha kur nisi të këndojë.
Unë gjithmonë kam kënduar. Kam qenë 1 vjeçe e gjysëm kur kam marrë pultin dhe kam dalë para televizorit dhe kam imituar Gilin. Po në atë moshë këndoja këngë të artistëve të ndryshëm dhe dilja para televizorit dhe bëja lëvizjet e tyre. Kujtimet e mia të para të fëmijërisë janë në Gjermani. Mbaj mend kopshtin, parashkollorin, shokët që kam patur, biçikletën e parë. Mbaj mend që në kohë të luftës na kishin blerë televizor për të mos parë lajmet, na angazhonte të shihnim filma vizatimorë. Kur kam gërmuar për videot e fëmijërisë sime, kam parë shumë gjëra, dhe më janë rikthyer kujtimet e asaj kohe, kuptova sa shumë e kisha dashur kamerën dhe të isha pjesë e saj. Unë kam lindur në Gjermani dhe s’e kam ndjerë kurrë veten të huaj atje. Kur jam kthyer në Kosovë, e kam ndjerë veten të huaj. Ndoshta sepse nuk dija shqip, apo sepse isha më e ndjeshme seç duhej, edhe këtë e dija që kur isha fëmijë. Nuk duroja dot fëmijët, gjeneratën time.
Diçka e dimë me siguri për Fifin, që ajo i do shumë njerëzit, me gjithë fuqinë e zemrës. Dhe kush janë dy njerëz absolutisht të shtrenjtë për artisten?! Ja çfarë zbulon ajo në “A Live Night”.
Kemi jetuar në një qytezë që kishte më pak shqiptarë, kishte shumë gjermanë, edhe turq. Nuk kisha shqiptarë në shoqërinë time. Por kanë ardhur shumë familje te ne, të afërmit tanë. Dikur ka qenë ndryshe koncepti i familjes. Sot nuk e ndjen, nuk e ka më atë shije.
Babi është shumë i qeshur, i drejtë, direkt në fytyrë. Mami është më e përmbajtur. Është strikte në gjërat që thotë dhe bën. Prej babit kam marrë sinqeritetin, jam e drejtpërdrejtë, t’i them gjërat në fytyrë, buzëqeshjen. Prej mamit kam marrë që jam strikte, dua rregullin, pastërtinë, gjërat të jenë në kohën e duhur. Jam pak gjermane.
Që në moshë të hershme, është përballur me shumë vështirësi. Ja si i kujton përjetimet e saj gjatë fëmijërisë Fifi.
Prej fëmijë e kisha bullizimin e pranishëm në jetën time. ‘Ti nuk di shqip.’ Kam qenë e shëndetshme dhe më thonin ‘ti je e trashë’. E di që kam qenë fëmijë shumë i ndrojtur deri në shkollën e mesme. Ndryshimi i shkollave, ishin shumë ndryshime për trurin tim. Ishte e vështirë të krijoje shoqëri. Në shkollën e mesme ndryshova. Në moshën 17-vjeçare, ngaqë nuk kam reaguar kurrë ndaj fjalëve, erdhi momenti kur duhej të shpërtheja. Prej atij momenti nuk jam ndalë më. Nuk jam njeri që lëpij, as ta fërkoj shpinën, sqarohem me ty, nuk mund të bëhet më mirë nëse ti nuk je e zonja e vetes të dalësh dhe të zgjidhësh problemet e tua.
Ndërkohë, artistja na zbuloi disa nga vështirësitë që ka kaluar, sakrificat dhe kompromiset e shumta që i është dashur të bëjë për të arrirë sa më lart në muzikë.
Nuk mendoj kurrë që do isha Fifi që jam sot nëse nuk do isha kthyer nga Gjermania. Atje kushtet e mia financiare të familjes do ishin totalisht ndryshe. Më shumë ka qenë dëshira për të ndihmuar familjen time. Unë kam shitur këngë për të ndihmuar familjen time. Kam bërë kompromise me studio edhe emri mos të më dilte, vetëm që të fitoja lekë, të kishim një shtëpi. Ne nuk kishim shtëpi. Unë nuk mund t’ia harroj kurrë tezes sime që na la 9 vite të jetonim në shtëpinë e saj. Familjarisht na ka bërë më të fortë dhe të kuptonim rëndësine e çdo lëvizjeje. Por për një fëmijë është shumë e rëndë psiklogjikisht, ndaj unë ia di rëndësinë gjëse më të vogël. Dua pak, por e dua me nder.
Unë kam dashur të mbërrij lart që të bëj prindërit krenarë, uroj t’ia kem arritur qëllimit. Di që ata sot janë të lumtur. Prindërit e mi kanë shitur çdo flori që kanë patur për mua. Sot nëse unë përmend që unë kam sakrifikuar për ta, unë s’kam bërë asgjë. Ata më kanë dhënë mua mundësinë të jetoj. Kur isha në “Big Brother” kam folur shumë për prindërit e mi. Nuk kam gënjyer në asnjë moment për ato që kam thënë për ata të dy. Nëse ka diçka të shenjtë në këtë botë për mua, janë ata.
Epo duket se talentin e ka marrë nga mami, teksa Fifi zbulon që edhe mamaja e saj ka patur shumë talent në këndim, por për arsye vërtet të trishta ajo nuk arriti të ndjekë këtë rrugëtim magjik.
Artiste që fëmijë. Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë rrugës. Mami im në kohën e vetë ka qenë super e talentuar, super vokal. E kanë pranuar në korin e Prishtinës. Nuk e kanë lënë të këndonte sepse nëse bëhesh këngëtare bëhesh k*rvë. E la dhe nuk e ndoqi ëndrrën e vetë. U bë profesoreshë si familja e saj. Kur erdhi puna për fëmijën e saj, u përpoqën ta bindnin që edhe ne duhej të beheshim profesora, avokat apo diçka të tillë. Është diçka që mua nuk më përket. Unë kjo jam. Mami im ka luftuar shumë me të gjithë që ne të ndiqnim ëndrrat tona, sidomos që unë të bëhesha këngëtare, që ishte një ëndërr e parealizuar e vetja. Ku kam shkuar, mami ka qenë pas meje. Mos të kishte qenë kthimi nga Gjermania, kompeticionet, dështimet e njëpasnjëshme, studiot që nuk besonin te unë. Mos të kishin qenë këta njerëz, unë nuk do isha kjo që jam sot… Një fëmijë pesë vjeç thoshte do bëhem e famshme, do jem në televizion.
Ndërkohë, Fifi na tregon më shumë për fillimin e këtij rrugëtimi magjik në muzikë, dhe zbulon detaje nga hapat e saj të parë.
Pas “The Voice”, u dëshpërova shumë. Isha sikur më ra toka në kokë. Mendova se ka mbaruar gjithçka, nuk do këndoja më. Kisha një zë të brendshëm që më jepte besim. Nisa të bëj vija melodike. Këtu ka filluar kapitulli im si tekstshkruese kompozitore. Kam punuar njëkohësisht në 7 ose 8 studio. Ka qenë motivuese, mendoja artistët do më njhnin, do më ndihmonin. Por shihja që kjo nuk po ndodhte. Mora pjesë në festivale, në Top Fest, por rrija në vend. Mbaj mend veten me biçikletë, nga ora 15 deri në 4 të mëngjesit, nga studio në studio. Deri në 15 isha në fakultet, studioja. Nga ora 15 haja një gjysëm byreku, sepse nuk kisha për një të plotë…
Peirudhën kur kam filluar të shkruaj, nuk kam bërë historitë e mia në tekste. Për herë të parë kam menduar se jam dashuruar rreth 18/19 vjeç. Nuk isha e lënduar kur shkruaja ato këngë. Jam bazuar te historitë e njerëzve, te historitë e shoqërisë. Teksti im i parë që kam shitur, e kam shitur 25 euro. Kishin vlerë për mua sepse aq e kisha një semestër dhe më në fund e paguaja vetë. Thoja jam shumë e pasur.
Dy këngë shumë të rëndësishme për Fifin janë pikërisht “Diell” dhe “Hana” ku teksti lidhej ngushtë me gjendjen e saj emocionale në çastet kur këto këngë janë shkruar. Ndërkohë, ja si shprehet ajo për Adisin.
Më pas kam filluar të shkruaj këngë me përjetimet e mia, por përsëri të hiperbolizuara. Nuk ka qenë 100% siç e kam shkruar. Deri te kënga “Diell”, që ishte një këngë e shkruar me ndjesitë momentale. Kur e kam shkruar këngën “Diell” jam ndjerë e humbur totalisht. Më dukej vetja që nuk kishte botë tjetër përveç atyre mureve. Nuk kisha motiv të thoja asnjë fjalë. Nuk kisha laps dhe letër. Lutesha për një laps dhe letër, derisa ma lanë. E dyta këngë që jam 100% te ajo është “Hana” që është një përjetim 100%, nuk kam hiperbolizuar. Të dyja janë super të sinqerta.
Deri te Adisi kam menduar që kam dashur, por nuk e dija çfarë ishte dashuria. Tani e kam kuptuar çfarë është dashuria. Tani nuk di çfarë të them. Kjo është dashuria, mos të dish çfarë të thuash. Tani më ka bërë zemra ‘bam’ për herë të parë.
E teksa zbulon vështirësitë e këtij rrugëtimi magjik në muzikë, Fifi tregon se shpeshherë ka menduar të heqë dorë, por një zë i brendshëm e ka ndaluar për diçka të tillë.
I gjithë rrugëtimi im në muzikë ka qenë i vështirë. Mendoja ta lija, por ka qenë zëri i brendshëm që më jepete fuqi. Projekti im i parë me videoklip të avancuar ka qenë bashkëpunim me Çiljetën dhe Lil Kolin. Ishte ndjenja më e çuditshme. Për mua ishte e pakonceptueshme sepse nuk i kisha mundësitë të mëndoja që mund të ndodhte ajo gjëja. Pas këtij projekti, kaloi një 5-6 mujorsh që nuk nxorra projekt, deri te kënga “Kus-kus”. Njerëzit nuk e lidhnin më Filloretën me Fifin. Më duhej ta nisja nga fillimi për të punuar për emrin Fifi. Doja ta rinisja një kapitull tjetër, një epokë tjetër.
Dhe kush janë ata që e kanë ndihmuar?! Emrat na i zbulon Fifi në “A Live Night”.
Përveç familjes, dorë shumë e rëndësishsme është Blendi Kalivaci, Ardit Gjebrea, Flori Mumajesi, Kledi Bahiti. Kurrë nuk mund të mohoj çfarë kanë bërë për mua.
Ka shumë këngëtarë që do u bëja këngë pa lekë por me shpirt. Leku nuk vihet në konsideratë kur e di që këngën e bën për një artist të madh. Disa nga emrat janë Aurela Gaçe, Xhensila Myrtezaj, Flori.
Fifin e kemi dashur si artiste me anë të këngëve të saj, por sigurisht që e kemi më njohur më shumë, përtej muzikës, në “Big Brother Vip”. Lidhur me këtë reality show, nga arsyet e futjes në “BBV” deri te çfarë ka mësuar aty, Fifi zbulon gjithçka në “A Live Night”.
Në “BBV” kam hyrë për dy arsye. Kisha 2 vite që kërkoja një eksperiencë të re në jetë, edhe doja të shijoja diçka ndryshe. Kur më erdhi oferta, isha në fillim e sigurtë që jo. Më pas nisa ta mendoj. Përveç kësaj, arsyeja e dytë, diskutohej që do hynim në një karantinë të dytë. Një gabim im i madh ishte që unë nuk kisha hyrë të shihja sistemin e “BBV”, ta kuptoja si koncept. Prapë e njejta do isha gjithsesi, e drejtë. Ndoshta vetëm nuk do i jepja rëndësi disave që nuk duhej, t’i jepja rëndësi vetëm vetes. “BBV” më ka ndihmuar që njerëzit të kuptonin që unë jam njeri normal, gatuaj vetë, brek*t i laj vetë. Jam shumë e lumtur që Fifi dhe Filloreta po bëhen një.
Dhe çfarë shtë lumturi sot për Fifin?! Pikërisht një emër, Adisi!
Përcaktimi i lumturisë për mua është një buzëqeshje e sinqertë. Lumturia ime momentalisht është Adisi. Sa herë e shoh buzëqeshjen e tij, unë lumturohem. Unë i njoh 8 llojet e buzëqeshjeve, një kur gënjen, një kur është e sinqertë, një intrigante, një me ironi, atë të lumturisë, kur shpif, një që nuk e them dot sepse është intime, edhe ajo e dashurisë. Për herë të parë po e vlerësoj veten, për herë të parë po e vlerësoj një njeri tjetër më shumë se veten. Po mundohem të sillem si grua. Unë jam rritur ndryshe, të jem vetë grua, burrë, nënë, babë. I kam lënë të tjerët të më thonin motër, që mos të shfrytëzonin situatën për të bërë diçka tjetër. Jam njeriu më i lumtur në botë që e kam dikë si Adisi në krah. Jam e lumtur sepse mund të jem psikopate me të, të shfrenohem me të, të jem njeri i ligë, edhe tepër e mirë, edhe grua. Nuk kam nevojë të jem burrë se e kam një burrë në krah…
Nëse do kisha mundësinë t’i flisja Fifit 14-vjeçare, do i thoja që kur të bëhesh 27 vjeçe, do takosh një burrë që ka për të të bërë gruan më të lumtur në botë. Prit deri atëherë dhe mos u lidh me asnjë, mos i jep mundësinë as të të flasë, as të të shohë. Prit deri më 9 dhjetor 2021 se do të vijë Adis Patushi në jetën tënde.