Fifi arrin të prekë sërish, ashtu siç vetëm ajo di. Projekti i ri i saj ia ka dalë që të na lërë edhe njëherë me gojë hapur.
Kënga më e re “Statujë” nga Fifi vjen si një rrëfim i ndjerë emocional, ku artistja zhvesh shpirtin përpara publikut. E njohur për aftësinë e saj për të kthyer ndjenjat në vargje të drejtpërdrejta dhe therëse, Fifi edhe këtë herë sjell një baladë moderne që prek menjëherë dëgjuesin.
Që në titull, kënga ndërtohet mbi një metaforë të fuqishme. “Statujë” simbolizon ftohtësinë, heshtjen, mungesën e reagimit.
Artistja prek me vargjet “e çela me duart e mia zemrën tek shoqëria, e kur e panë që jam keq, plot janë larguar.” Një realitet therës, plot hipokrizi e ironi, që i përshtatet kohës sot.
Megjithatë, diçka është e sigurt. Duke cituar Fifin: “Do ketë ditë më të mira, pa terrin nuk vjen dita, nuk ta merr kush atë që Zoti për ty e ka shkruar.”
Me “Statujë”, Fifi konfirmon edhe një herë aftësinë e saj për të krijuar muzikë që nuk është thjesht për t’u dëgjuar, por për t’u ndjerë. Një baladë që lë gjurmë.