Faton Qerimi hyri në listën e artistëve të Top Awards me bashkëpunimin e tij me Dj Tr3ndy, “U kry”. Së fundmi ai ka qenë i ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio për të diskutuar se si lindi ky projekt, por jo vetëm.
Si është një ditë normale për Fatonin?
Unë ndjek studimet për arkitekturë në vit të tretë dhe pas mësimit edhe punoj në një kompani për sinkronizime dhe dublime. Aty kaloj një pjesë të madhe të ditës dhe pasditen e shfrytëzoj për të pushuar.
Si ja del me të gjitha këto angazhime?
Nuk është aq e lehtë sepse janë punë që kërkojnë kohë, por kur gjërat bëhen me dëshirë asnjëherë nuk i sforcoj ato. I bëj gjërat 100% deri në momentin kur më bezdisen. Kur jam duke punuar arkitekturë dhe më bezdiset, e lë dhe vazhdoj me muzikën. Instrumentet kanë qenë gjithmonë pranë dhe kanë qenë pjesë e jetës sime. Kënga “U kry” ishte projekti im i parë profesional dhe tani e shoh më serioze.
Lidhur me këngën “U kry”, e prisje këtë sukses?
Fillimisht i jam falenderues të gjithë dëgjuesve dhe Top Albania Radios që e promovon këngën. Kjo vetë më motivon që këngët e tjera t’i realizoj edhe më shpirtërusht se projektin e parë.
Si lindi “U kry”?
Kënga “U kry” është shkruar para dy apo tre vitesh nga unë dhe instrumentali ishte spontanisht. Kur kontaktuam me Dj Tr3ndy ai kishte gati këtë beat kaq të mirë, që kur e analizova në aspektin struktural muzikor, kishte akordet e njëjta me këngën time. U kyça me vokalet e mia, me tekstin dhe gjithçka rrodhi me aq përputhshmëri. U takuam, e inçizuam dhe duhet ta lançonim menjëherë sepse asgjë nuk u bë e sforcuar dhe idetë tona arritën të shkrihen në përputhshmëri për produktin final.
Si u bëre ti i famshëm nëpërmjet një platforme sociale si TikTok?
Unë pata fatin që në TikTok të shikohen videot e mia sepse unë u paraqita me duete. Mund të them që isha i pari që solla duete në gjuhën shqipe me disa këngë. TikTok po pëpiqen që ta shfrytëzojnë të gjithë këngëtarët, të gjitha kompanitë e mëdha dhe ka një influencë të madhe në ditët e sotme.
Çfarë projektesh të reja do të sjellësh në të ardhmen?
Mendoj se do të jem një artist eksperimental dhe çdo këngë do të jetë e ndryshme. Jam ende i ri për t’u fokusuar vetëm në një stil.