E ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio, këngëtarja Nora Istrefi ka dhënë një intervistë ekskluzive ku ka ndarë më shumë detaje rreth jetës së saj personale dhe rrugëtimit artistik. Ashtu siç ndodh shpesh në këtë format, intervista është fokusuar edhe në anën më intime të artistes, duke prekur tema që ajo zakonisht i mban larg vëmendjes publike, duke ofruar një këndvështrim më të afërt me publikun.
Gjatë bisedës, Nora ka folur gjithashtu për projektin e saj më të ri muzikor, EP-në e titulluar “IV”, një publikim i fundit që përfshin disa këngë të reja dhe shënon një tjetër hap në karrierën e saj muzikore. Ky projekt vjen si një vazhdimësi e stilit të saj unik dhe përfaqëson një fazë të re artistike, duke reflektuar evoluimin e saj si artiste dhe duke sjellë risi për publikun. Përse kjo zgjedhje për të realizuar 4 këngë dhe për ta titulluar po me të njëjtin numër?
Po, numri katër simbolizon një kapitull të ri në jetën dhe karrierën time. Kam punuar shumë për këtë mini album. le ta quajmë. Është shumë personal. Jam munduar të sjell një ndenjë më të sinqertë, një pjesë të artit më të thellë, gjë që publiku mund ta shikojë në çdo këngë atë energji.
Çfarë stili janë këngët e këtij mini albumi?
Stili im, mendoj që nuk i kam ikur vetvetes.
Duke u kthyer pas në kohë, cili ka qenë projekti që ka ndryshuar karrierën e saj?
Unë karrierën e kam filluar shumë herët, siç e dini edhe ju, që në moshën 17-vjeçare me shumë pasion për muzikën dhe skenën. Mendoj që kam punuar fort për të krijuar stilin tim, këngë që të jenë sa më lidhura me publikun. Si kthesë ku ka marrë karriera ime mund të quaj këngën ‘Taksi’, pjesëmarrja në ‘Top Fest 2’. Ka qenë moment i rëndësishëm për mua. Në atë kohë ‘Taxi’ më ka hapur shumë dyer, më ka prezantuar me një audiencë më të gjerë.