Fansat e këngëtares me famë ndërkombëtare, Era Istrefi vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë hitit të saj të padiskutueshëm “BonBon”.
Edhe pse ka rreth dy vite që është publikuar, kjo këngë që ishte si katapultë për suksesin e saj ndërkombëtar, ka rrëmbyer zemrat e publikut që e ka votuar jo vetëm për të qenë pjesë e “The Top List” por gjithashtu duke e shndërruar në një ndër këngët që ka qëndruar më gjatë në klasifikim.
Ky projekt muzikor ka dalë nga klasifikimi i 100 këngëve moderne shqiptare në javën e 73-të por ka bërë një rikthim të bujshëm në javën e 142-të duke shënuar kështu 54 javë në listë.
Era është pjesë e klasifikimit edhe me dy hitet e saj të tjera, “Oh God” në bashkëpunim me Koshens gjithashtu edhe me “Prisoner” që mbajnë përkatësisht vendin e 28-të dhe 36-të.
Megjithatë, me përfundimin e stinës së verës dhe uljes së temperaturave, këto këngë verore duket se i kanë lënë vendin sërish “BonBon”-it që në javën e parë të rikthimit pozicionohet në vendin e 31-të falë votave të publikut.