Jua thamë dhe ashtu ndodhi vërtetë – albumi i Elvanës, një ‘bombë’ e paparë! Këtë javë artistja sjell në klasifikim plot gjashtë këngë të reja nga pjesa e parë e publikuar e albumit.

Pjesa e parë e trilogjisë titullohet “Grada”, dhe u publikua më 13 qershor, duke shënuar kështu nisjen e një kapitulli të ri muzikor. Gjashtë këngët që iu bashkuan listës së javës ishin projekte të reja të padëgjuara më parë, ndryshe nga “Gocat”, “Knojna” apo “Grada”.

Elvana kthehet fuqishëm me këtë cikël këngësh që janë pjesë e albumit të saj të ri “Triologji – Kapitulli I”. Ky projekt është një përzierje midis pop-it modern dhe ritmeve urbane, ku çdo këngë eksploron një aspekt të ndryshëm të dashurisë dhe vetëvlerësimit.

Nga “Ti” dhe “Të dua” që janë më të buta dhe sentimentale, deri te “Sicko” dhe “I like it” që sjellin më shumë energji dhe vetëbesim, Elvana tregon një gamë të gjerë artistike, duke forcuar pozicionin e saj si një prej artisteve më të kompletuara në skenën shqiptare. Pjesë po ashtu e klasifikimit janë dhe “Mos harro” dhe “Shenjë”, që madje arriti të rrëmbejë dhe kreun e javës.