Elvana Gjata mbajti më 22 qershor koncertin e saj madhështor në stadiumin Air Albania. Mijëra fansa mbushën stadiumin, teksa këndonin njëzëri të gjitha këngët e artistes në koncertin ”Dekada”.
Gjatë dy dekadave në tregun muzikor shqiptar, Elvana Gjata ka marrë dashamirësinë e mijëra njerëzve që i dëgjojnë dhe këndojnë këngët e saj. Krahas performancave të shoqëruara dhe nga trupa e baletit, Elvana Gjatës në skenë iu bashkuan disa nga bashkëpunëtorët e saj, si Mc Kreshën, Ledri Vulën, Capital T, Noizyn, Bardhin, Yll Limanin, Dhurata Dorën, si dhe motra e Elvanës, Migena Gjata.
Nuk munguan as të papriturat, kur një djalë i dashuruar nxori nga xhepi unazën dhe i propozoi për martesë të dashurës së tij, e cila padyshim nuk e kishte imagjinuar se këtë çast do ta ndante para mijëra djemve dhe vajzave në stadium. Të shumtë ishin fansat e saj që mezi e kanë pritur këtë koncert me përmasa të tilla.
Ndër njerëzit e shumtë që ishin të pranishëm, mund të shije dhe personazhë publikë që kishin ardhur me gjithë dashurinë e tyre për artisten. Ndër komentet që viheshin re pas koncertit ishin:
Standard i ri. Vetëm ti mund ta bëje këtë shfaqje me nivel botëror. M’u duk sikur fitoi Shqipëria Botërorin.
Vetëm ti mundesh ta bësh këtë.
Sado ti rritesh, ti je dhe do të mbetesh gjithmonë ajo Elvana e vogël, vajzë e thjeshtë, e ëmbë, e dashur, e suksesshme në karrierë në çdo kohë.
Bëre histori.
E emocionuar dhe mirënjohëse për publikun që e duartrokiti pa ndalim, Elvana shkroi pas koncertit në rrjetet sociale:
Woww, jam pa fjalë për këtë që sot më panë sytë. Ishit kaq shumë, e ndieva kaq shumë dashuri sa po më plas zemra nga gëzimi. Kjo që pashë, është një ëndërr që u bë realitet. Jam mirënjohëse për besnikërinë tuaj ndaj meje, mirënjohëse për secilin prej atyre që kam pasur pranë gjithë këto vite, kompozitorë, producentë, tekstshkrues dhe bashkëpunëtor që kanë dhënë shumë mund e dashuri në rrugëtimin tim. Faleminderit nga zemra.