Ai është konsideruar si “Mbreti i Natës” por pse jo edhe mbreti i dedikimeve për dashurinë. Bëhet fjalë për Dren Abazin, artisti që vazhdon t’i qëndrojë besnik muzikës dhe fansave të tij, duke sjellë projekte që të ngrohin dhe qetësojnë shpirtin.
Përmes teksteve të tij plot ndjenjë dhe muzikës, në të cilën nuk mungon kitara, artisti nuk zhgënjën asnjëherë fansat e tij por përkundrazi i bën të ndihen akoma edhe më krenar me prurjet e reja muzikore, duke mos qënë i përsëritshëm. E rëndësishme për të është që zëri dhe muzika e tij të njihen kur dëgjohet në radio.
Pavarësisht se është publikuar në javën e të dashuruarve, Dren Abazi sqaron për “Top Awards” se kjo këngë nuk është një dedikim për Shën Valentinin por një dedikim për dashurinë.
Në intervistën e tij, Dreni jep gjithashtu edhe një premtim për fansat e tij, duke konsideruar seriozisht faktin se do të jetë më aktiv me muzikë të re.
“Zjarr e Akull” është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “Top Awards” dhe renditet në vendin e 34-t.
TA: Surprizoni gjithmonë me prurjet tuaja muzikore, “Zjarr e Akull” është një dedikim për festën e të dashuruarve? Na zbuloni më shumë për këtë këngë…
Dren Abazi: Më vjen mirë nëse ju surprizoj, sidoqoftë kënga ime e re nuk ka të bëjë aspak me festën e Shën Valentinit, meqë nuk jam ndonjë fans i saj. Nëse më pyet nëse “Zjarr e Akull” është dedikim për dashurinë, po është.
TA: Keni menduar ndonjëherë të bëni muzikë komerciale apo do vazhdoni t’i qëndroni besnik zhanrit tuaj muzikor?
Dren Abazi: Nëse i referoheni termit “komerciale” si diçka të keqe, mendoj se e keni pak gabim (buzëqesh). Komercial është çdo produkt që shitet. Ka edhe komerciale të mirë, sic ka edhe “Made in China” … Edhe U2 është komerciale. Gjithësesi, unë bëj këtë që dua dhe di ta bëj më së miri.
TA: Një këngë Taranteske, pra të jep ndjesinë e kolonave zanore që regjisori Quentin Tarantino përdor nëpër filma, a jeni frymëzuar nga ato apo është thjesht një rastësi?
Dren Abazi: E gjithë muzika ime në një mënyrë ose tjetër është e frymëzuar nga filmat dhe kolonat zanore të tyre… Unë e shoh si një “soundtrack without a movie”.
TA: “O artist, më shumë këngë të lutem”, thonë fansat, mendoni ta merrni parasysh kërkesën e tyre?
Dren Abazi: Patjetër që po. Unë gjithmonë i konsideroj seriozisht kërkesat e tyre (buzëqesh)!