Butrint Imeri dhe Gjiko e kanë ëmbëlsuar më shumë seç duhet vitin 2019-të. Dyshja e famshme ka bërë që edhe në shkurt të hahet “Bakllava” pasi bashkëpunimi i tyre vazhdon të mbetet i preferuari i publikut shqiptar.

Kjo këngë plot ritëm dhe atmosferë vazhdon të ruajë vendin e parë për të tretën javë rradhazi dhe pesë javë në total. Dy këngëtarët, të cilët e kanë dhe bashkëpunimin e tyre të parë, momentalisht po shijojnë suksesin e këtij projekti që duhet thënë ka rezultuar tepër i pëlqyer nga fansat e artistëve.

Ndërkohë që kreu mbetet i njëjtë si edhe javën e kaluar, një surprizë ka ardhur këtë javë vendi i dytë, në të cilin qëndron Adriano me këngën e tij “Nale”. Bashkëpunimi i Tayna dhe Ledrit, “Aje”, i cili javën e kaluar mbante vendin e dytë, ka humbur dy pozicione këtë javë, duke u zhvendosur në vendin e 4-t.

Vendi i tretë i takon treshes së famshme Flori, Ghetto Geasy dhe Bruno me projektin e tyre “Mori”, duke qëndruar të njëjtë si edhe javën e kaluar.

Zonës së nxehtë të listës këtë javë i është bashkuar “Krejt ti fala” e Majk dhe Yll Limanit, e cila është ngjitur me 11 pozicione nga java e kaluar, duke zënë vendin e 5-të.

Kjo javë ka sjellë në listë tre projekte të reja muzikore, duke lënë të nënkuptohet se artistët po lënë pas “janarin e përgjumur”, për t’u bërë më aktiv në muajin e të dashuruarve.