Ashtu siç është bërë në modë tanimë, edhe Capital T ka ardhur së fundmi me dy projekte të reja në një. Për ditën e të dashuruarve, në Shën Valentin, Kapo erdhi me surpriza për të gjithë fansat kur publikoi “Për ty & Dy zemra”.

Në fakt publikimi përbëhet nga dy versione të një kënge, “Për ty” dhe “Dy zemra” që shfaqen ndryshe edhe në videon muzikore. Pjesa e parë e videoklipit është e frymëzuar nga loja GTA, derisa pjesa tjetër vjen me protagonist vetë Capital T.

Ndryshe nga shumë kolegë ai nuk i ka kënduar dashurisë e lumturisë në këtë ditë feste, por dhimbjes nga dashuria. “Për ty” dhe “Dy zemra” mbajnë titullin këngët, tekstin e të cilëve e ka shkruar vetë reperi, duke na bërë të mendojmë se pas tyre fshihet një histori personale.

Fabula e “Për ty” lidhet me një histori dashurie në distancë që nuk ka funksionuar pavarësisht përpjekjeve e sakrificave nga njëra palë. Kjo këngë pozicionohet në vend të 24-të të klasifikimit të “The Top List”.

Nga ana tjetër, “Dy zemra” vjen si një letër e fundit dashurie. Ky projekt renditet në vend të 44-të.