I ftuar nëpërmjet një lidhje direkte për “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti John Shahu. Ai u bë i njohur për publikun me bashkëpunimin e tij me Elvana Gjata dhe Ledri Vula me këngën “Mike”. Për një kohë relativisht të gjatë, ai u shkëput nga muzika, por së fundmi është rikthyer duke publikuar këngën e tij më të re “Ku jena tash”. John ka treguar më shumë lidhur me këtë projekt por dhe planet e tij të ardhshme…
Je zhvendosur në Australi që në vitin 2007, sa ka ndikuar kjo në mënyrën si e percepton dhe krijon muzikën tënde?
Jam influencuar shumë dhe nga muzika jashtë, por kam qenë gjithmonë në dashuri me muzikën shqiptare. Kam zgjedhur më të mirën e të dyja, duke i miksuar.
Ke bërë një periudhë të gjatë pauze në muzikë, mendon se do jesh më konstant tani?
Ju premtoj që tani do të ketë muzikë të re dhe “new me”.
A ke qenë në kontakt me muzikën këto kohë duke punuar në prapaskenë?
Kam punuar, nuk e kam lënë asnjëherë. Pas Covidit, kur kam ardhur këtej, kisha disa gjëra familjare dhe me biznese, por nuk e kam lënë asnjëherë. Nuk mund ta lë muzikën, më heq stresin, më heq të gjitha gjërat e këqija.
Cilin treg muzikor synon ti, në Shqipëri, Australi apo në Amerikë?
Më përpara e mendoja shumë këtë, por për momentin thjesht dua të bëj muzikë që i prek njerëzit. Për momentin dua t’i tregoj shqiptarëve që më kanë mbështetur, një pjesë timen që nuk e kisha treguar nga ana muzikore. Por jam rehat duke kënduar në të dyja gjuhët, është një karakter ndryshe për secilën.
Po gjatë kësaj kohe kur ke qenë duke punuar me muzikë, ke krijuar më shumë këngë në shqip apo në anglisht?
Kam 6 këngë gati, 3 janë në shqip dhe 3 janë në anglisht.
Si erdhi projekti “Ku jena tash”? A është pjesë e një albumi?
Nuk do të them album, ende. Ka rreth 5 vite që është krijuar. Nga të gjitha këngët, kjo duhet të dilte.
Çfarë vjen së shpejti nga ti?
Më e reja që do të publikoj, është deep house, në anglisht. Është projekti i parë që i kam bërë të gjitha vetë, nga produksioni, nga teksti. Jam shumë i emocionuar që do të ndaj një pjesë tjetër timen. Titullohet “Rain on me”.