Dren Abazi ka publikuar këtë javë këngën e tij më të re të titulluar “Hana”. Këngëtari edhe këtë herë ka ardhur me një baladë, nga ato që vetëm ai di të sjellë.
“Hana” është vendosur në vendin e 48-të në klasifikim dhe pëlqimet ndaj këtij projekti të ri muzikor kanë qenë të shumta.
Në këtë videoklip, Dreni vuan nga një thyerje zemre dhe vendos që dhembjen ta shuajë me pije. Ai kërkon kudo për dashurinë e tij dhe imazhi i saj i shfaqet në çdo anë duke mos e lënë të qetë.
Duhet thënë që artistin e kemi parë shpesh duke krijuar balada të tilla romantike që shumë prej nesh na vënë në mendime, por asnjëherë më parë Dreni nuk është shfaqur kaq i dhënë pas rolit të tij. Aq shumë sa na bën që të mendojmë se këngëtari e ka përjetuar shumë këtë këngë dhe realizim videoklipi.
Diçka ama është e sigurtë, Dreni nuk ka gabuar asnjëherë me projektet e tij dhe edhe këtë herë përveç tekstit dhe vijës melodike karakteristike të këngëtarit, ai ka sjellë dhe një anë tjetër të tij që nuk e kishim parë shpesh, atë të një djali që i kthehet hënës duke ju lutur për zemrën e tij të thyer.