Nëse javën e kaluar theksuam faktin se sa e fortë është Diona, kjo javë tregon se këngëtarja është vërtet shumë fortë, e cila ka forcuar pozitat e saj në “Top 5”.

Ndërkohë që vazhdon ta ruajë me fanatizëm vendin e parë me “Ti je” në bashkëpunim me EAZ, Diona ka arritur të rrëmbejë gjithashtu vendin e dytë me projektin muzikor “Bella Vita”, i cili është ngjitur me 64 pozicione nga java e kaluar. Pavarësisht se ka plot 26 javë që gjendet në klasifikimin e “Top Awards” dhe është publikuar gjatë sezonit të verës, duket se fansat po shijojnë pikërisht ritmet verore të “Bella Vita”, duke e rikthyer në qendër të vëmendjes.

Sa i përket vendit të tretë ai nuk ka ndryshuar aspak krahasuar me javën e kaluar pasi është pikërisht Kida dhe kënga e saj “Mall” që pozicionohen në treshen e këngëve më të votuara të javës.

Caital T ka arritur të ngjitet me një pozicion, duke u renditur në vendin e 4-t ndërsa në vendin e 5-të kemi një hyrje të re dhe bëhet fjalë për Saix, i cili ka sjellë në një version mjaft modern “Qyteti i Vjeter” kënduar në origjinal nga Elton Deda.

Sa i përket projekteve të reja që i janë shtuar listës këtë javë është vetëm një dhe është pikërisht “Sorry” e Tayna-s, e cila është pozicionuar në vendin e 100-të.