Diana Mehmetaj kthehet në klasifikimin e “The Top List” me një këngë të ndjerë që na ka prekur telat e zemrës. “Tjetër” mban titullin projekti që vjen në listën e kësaj jave.

Kënga e re “Tjetër” nga Diana Mehmetaj vjen si një rrëfim i sinqertë dhe emocional që prek menjëherë dëgjuesin. Që në sekondat e para, “Tjetër” krijon një atmosferë intime, aq sa të duket sikur je duke i kënduar ti ato fjalë. Instrumentali është i balancuar mes elementeve modernë pop dhe një vije melodike që i lë hapësirë vokalit të spikasë. Prodhimi muzikor është i pastër, i kuruar dhe i fokusuar te emocioni, pa e mbingarkuar mesazhin me elementë të tepërt.

Teksti trajton një temë universale humbjen e një dashurie që tashmë po shkon tek një “tjetër”. Kjo e bën këngën lehtësisht të identifikueshme për këdo që ka përjetuar një histori të ngjashme. Ky publikim konfirmon aftësinë e artistes për të sjellë projekte të pjekura dhe autentike në tregun muzikor shqiptar.