Këngëtarja e njohur Elvana Gjata ka qenë e ftuara speciale e kësaj mbrëmje në spektaklin “Big Brother VIP”. Elvana ka kënduar live këngën e saj më të re “Moment”, bashkëpunimin e fundit që vjen me Stanaj dhe që ka rrëmbyer vendin e parë të “The Top List” këtë javë. Pas kësaj kënge emocionuese, Elvana i ka vënë ‘flakën’ skenës me “Lumja Toka”, një hit i padiskutueshëm.

Lidhur me “Moment”, këngën e saj të re, Elvana u shpreh:

Unë për këtë arsye i bëj tekstet dhe këngët, që të prek jetët e njerëzve dhe të jem pranë tyre në ditë të vështira, në rastin e baladës. Por sot jemi për festën e të dashuruarve, kështu që duhet të gëzojmë. Unë dua t’i uroj të gjithë të dashuruarve, jeni me fat që mund ta festoni këtë ditë sepse dashuria është e rrallë. Duhet ta mbani fort, duhet të luftoni për të edhe kur është shumë e vështirë.

Çfarë është dashuria për ty?

Është bekim. Prandaj duhet ta mbani fort. Është me fat kush e ka.

E pyetur se kush e fiton këtë “Big Brother”, artistja u shpreh:

Do doja shumë që të fitonte Stenaldo.

Ndërkohë, Elvana Gjata do të mbajë koncertin e saj madhështor më 10 Maj në Milano.