E ftuar speciale në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ishte artistja e dashur për publikun, Çiljeta Xhilaga. Edhe pse vitet e fundit është distancuar nga skena muzikore, Çiljeta mbetet një personazh që vazhdon të tërheqë vëmendjen dhe simpatinë e publikut shqiptar.

Me një karrierë që nisi herët dhe me hite që u kthyen në himne të një brezi të tërë, Çiljeta ka ditur gjithmonë të jetë e pranishme jo vetëm përmes këngëve, por edhe përmes personalitetit të saj. E drejtpërdrejtë, e qeshur dhe pa komplekse, ajo ka krijuar një lidhje të natyrshme me publikun, që e ka ndjekur në çdo fazë të jetës, nga momentet e suksesit në muzikë, tek roli si nënë dhe angazhimet e saj të përditshme edhe në biznes.

Përsa i përket rikthimit në muzikë, a është në planet e saj të afërta?

Në fakt, filloi si rastësishëm. Jam karikuar të bëj një këngë të re, por do të bëj një këngë të re vetëm në qoftë se Flori do rikthehet.

Vetëm nëse Flor Mumajesi do të rikthehet?

Pa diskutim, vetëm Flori mund t’i bëjë këngët e kohës sime, ose do iki tek ai që më ka nxjerrë për herë të parë si këngëtare, që e falënderoj pafund. Tek Andi Lila.

Fjalët qarkullojnë që Flori do të rikthehet, a domethënë kjo që është një rikthim edhe për Çiljetën?

Në fakt, i kam shkruajtur përpara dy muajsh. Që ‘do kthehesh se na ke lënë pa këngë’, por nuk më shkruajti fare gjë. Unë mendoj që do vijë një kohë që i gjithë brezi ynë do të rikthehet. Nuk e di, por kështu e ndjej.

Për nostalgji, apo për t’u rikthyer sërish në tregun muzikor?

Të gjithë këngëtarët e brezit tonë. E mira është që edhe ky brezi i ri i fëmijëve tanë, është rritur me muzikën që jemi rritur edhe ne, se sa me këtë muzikë që po bëhet sot që nuk ka as melodi e asgjë. Nuk ka asnjë edukatë për fëmijët tanë. Do thuash ti ‘edhe ti i ke kënduar mollaqeve’, por unë nuk i këndova atyre të miave. I kam kënduar atyre që i kishim të mëdhaja.