Capital T nuk di të ndalet!

Ky mund të konsiderohet si viti më i suksesshëm për reperin, i cili ka nxjerrë në treg 9 projekte muzikore në total brenda vitit 2017.

Ndërkohë që ka patur një vit të ngarkuar me koncerte si brenda dhe jashtë Shqipërsië, Kapoja ka arritur të thyejë rekord në “Top Awards” duke u bërë artisti i parë i cili gjendet në klasifikim me 6 projekte muzikore.

Gjatë kësaj jave, Capital T është futur në listën zyrtare të “Top Awards” me projektin e tij më të ri muzikor të titulluar “Gucci”, i cili renditet në vendin e 49-të.

I vlerësuar me çmimin “Video of the Year” për këngën “Hitman” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Top Music Awards 2016”, Capital T duket se ka bërë zgjedhjet e duhura këtë vit, duke publikuar bashkëpunime dhe këngë “solo”, të cilat kanë rezultuara tepër të pëlqyera nga publiku shqiptar.

Bashkëpunimi i tij me Ardian Bujupin “Andiamo” është kënga që është renditur më mirë në klasifikim, duke zënë vendin e 5-të.

“Hatixhe” dhe “Pse po ma lun lojen” renditen përkatësisht në vendin e 12-të dhe 19-të. Ndërsa bashkëpunimi i tij me Lyrical Son dhe Vig Poppa, “Pa Cenzure”, i cili ka tre javë që është bërë pjesë e listës, për këtë javë mban vendin e 22-të.

Por kënga që e ka bërë Capital T të qëndrojë më gjatë në klasifikim është bashkëpunimi me Elvana Gjatën dhe 2Po2, “Lejla”, e cila është bërë pjesë e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare tetorin e vitit të kaluar. Për këtë javë, “Lejla” pozicionohet në vendin e 29-të, duke u ngjitur me 9 pozicione nga java e kaluar.