Bojken Lako, një nga artistët më të talentuar të “The Top List”, ka qenë i ftuar së fundmi në studion e “Pardon My French” në Top Albania Radio. Ai ka rrëfyer ndër të tjera edhe për karrierën e tij muzikore dhe planet për të ardhmen.

Fillimisht, Bojken tregoi për periudhën kur ka qenë pjesë e Top Albania Radios dhe punonte gjithashtu për ‘Top Fest’, një kohë kur ai promovonte shumë artistët e rinj, gjë që vazhdon ta bëjë edhe ditët e sotme.

Gjatë viteve të punës në Top Channel, ngaqë jam marrë me ‘Top Fest’, jam marrë me çfarë mund të ndihmoja unë me shijen time dhe me selektimin e mirë të muzikës kundrejt edukimit të brezave, kjo u kthye në një lloj detyrimi dhe pasioni. Promovimi i artistëve është pjesë e punës time. 

Përsa i përket projekteve të tij momentalisht dhe më saktësisht për Bulza, Bojken shprehet se:

Po shkon shumë mirë. Ne jemi pranë nisjes së edicionit të dytë. Nuk është konkretisht një kompeticion, por është një platformë ose rrjet artistësh për të promovuar këngëtarë të rinj, producentë të rinj. Duke nisur nga java e tretë e nëntorit do të nisim edicionin e dytë, i cili do të zgjasë 1 vit, ku do të prezantohen 35-36 krijime të reja.

Si e sheh të ardhmen e muzikës?

E ardhmja  e muzikës është e lidhur ngushtë me mundësinë që kanë të rinjtë dhe artistët në përgjithësi. Mundësitë i shoh të pakta, në një lloj bote konsumi që gjithçka bën pjesë në një fasadë. Duhet t’i largohemi pak sipërfaqësores. Duhet pak investim, pak përkujdesje për artistët. 

Po gjendjen e muzikës në përgjithësi?

Ne nuk e shohim se kush krijon. Ne shohim vetëm atë mainstream. Unë jam mësuar ta shoh kështu gjithmonë. ‘Top Fest-i’ ka qenë një investim i medias asokohe për të promovuar artistët e rinj, por jo vetëm, që krijimet e tyre t’i shfaqnin. Sot ka shumë gjëra që mungojnë për ta bërë këtë. 

Bojken gjithashtu nuk zgjedh të jetë shpesh pjesë e tregut muzikor me këngë dhe projekte të reja muzikore dhe për këtë e ka një arsye.

Unë dhe dikur minimumi një këngë në vit kam nxjerrë. Këto vite, përveç periudhës që punoja në Top Albania Radio, ku ndodhte që nxirrja më shpesh, ndërsa në vazhdim kam punuar gjithmonë nëpër media. Nga viti 2013-2015 kam bërë shumë koncerte me një grup që quhet “Bojken Lako Band”, një përbërje që e kam mbledhur prap tani. Para pak ditësh kemi bërë provat e para. Besoj se do sjellim koncert së shpejti. Kemi projekte plot. Gjatë këtyre viteve edhe pse kam bërë pauza, kam akumuluar ide, materiale, mendime, qofshin normale, qofshin ekstravagante. 

Lidhur me projektin “Mono” Bojken u shpreh:

Gjithmonë kam pasur qejf që të bëj bashkëpunime. “Mono” ishte një propozim i çunave të Produkt 28. Në njëfarë mënyre e dija që do kishte sukses ajo këngë se ishte një këngë shumë e mirë, edhe momenti në të cilin u publikua.

Rikujtojmë se, projekti që ka bërë së bashku Bojken Lako, Alban Kondi dhe Kastro Zizo, i titulluar “Mono” momentalisht renditet në vend të 71-të, me 26 pozicione më lart se java e kaluar. Një projekt ky që sa vjen dhe pëlqehet akoma dhe më shumë nga publiku. “Mono” qendron si pjesë e “The Top List” prej 35 javësh tashmë.