Pas performancës së saj në “A Live Night”, i gjithë publiku mezi priste që Besa Kokëdhima të publikonte projektet e saj, “Si kalama” dhe “Machoman”. E ftuar në “Live From Tirana”, Besa na ka folur më shumë mbi këto dy këngë dhe jo vetëm…
Si lindi “Machoman” ?
“Machoman” dhe “Si kalama” i kam shkruar në të njëjtën kohë. “Si kalama” ka qenë e para dhe unë si krijuese gjithmonë melodinë e kam të parën, pasi kam bërë një melodi që më pëlqen kur dua të gjej frazwn qw tw mbetet në mend, unë duhet te shtrihem për të fjetur gjumë dhe në mendjen time provoj fjalë. Pirro Çako ka thënë diçka të bukur, kur punonim bashkë që mund ta kem cituar edhe herë tjetër: “shpeshherë kur ti bën një muzikë fjalët janë aty, ti thjesht duhet të gërvishtësh sipërfaqen”. Dhe këtë bëj unë kur shtrihem për të fjetur gjumë. “Machoman” është më sensual, “Si kalama” është më shumë pop dhe janë sensuale, pasi vetvetiu unë kam shumë ngjyra brenda vetes dhe ndoshta me karakterizon dashuria për pak melankoli, pak sensualitet dhe të dyja ato mbartin atë lloj energjie. Unë jam fanse e Jordan Piters, psiokologut e filozofit dhe unë ndoshta e glorifikoj pak faktin e imazhit të një mashkulli i cili është potent në personalitetin e tij, por që është i drejtë e fisnik, pasi e bën për vete një vajzë ose djalë në kohën që jetojmë, një mashkull i fuqishëm por edhe që dedikohet, sepse në njëfare mënyre dashuria është dashuri dhe luftë.
Cila është figura që përmbledh figurën mashkullore në mendjen e Besës?
Unë e besoj fort që pjesën më të madhe të rasteve dashuria e parë e një vajze është babai. Unë kam një baba që personalisht edhe në realitet është i jashtëzakonshëm. Dje për shembull më erdhi një buqetë me lule me një mesazh të dedikuar dhe kjo është diçka shumë e bukur për përgjegjësitë dhe dedikimet e një burri kundrejt familjarëve të vet. Dhe gjithmonë të kujton se si duhet të jetë një mashkull në fund të ditës. Një “macho” është të dish çfarë do dhe të dish ta marrësh atë që do.
Çfarë mund të na thuash lidhur me bashkëpunimin tënd me Lyrical Son në “Si kalama”?
Lyrical Son në fakt unë e kam njohur që nga “Mikrofoni i Artë” dhe herë pas here e kam menduar për bashkëpunim. Eventualisht ndodhi me këtë këngë.
Çfarë është “marre” për ju të dy në aspektin e dashurisë?
Është një koncept shumë relativ besoj, në fund të ditës secili avokaton, shpeshherë perceptimi objektiv nuk duket njësoj në sytë e dy palëve. Se çfarë është ‘marre’ për Lyrical-in, në qoftë se flasim për familjen e tij ai është një djalë shumë i rregullt. Në një industri që ka shumë tatëpjeta dhe “50 Shades of Grey”, besoj se për Lyrical-in është e turpshme të bëjë diçka komerciale vetëm për shifra.
Në një pjesë të këngës vetë Lyrical thotë “herë m’don herë më çon…”
Dashuritë e forta kanë edhe konflikt brenda dhe njerëzit nuk janë të pajisur psikologjikisht për t’i përballuar me qetësi dhe dashuri. Njeriu në fund të ditës do që të jetë i mirëpranuar, do të jetë i dashuruar pse jo dhe gjithë këto ulje dhe ngritjet në dashuri dhe këto konflikte bëjnë që kur nuk ka një stabilitet emocional apo psikologjik, ështe ajo që ti e do një njeri dhe do që ta kesh pranë. Në momentin që ai gabon, ti tenton sa më shumë ta largosh, por sa më e fortë është tendenca jote për ta larguar duket se aq më e fortë është ndjenja jote. Pastaj edhe kërkesat janë të ndryshme. Se çfarë është për një femër një dashuri perfekte është ndryshe nga çfarë është për një mashkull. Pritshmëritë e një femre janë më të elaboruara, më të sofistikuara, një femër kërkon më shumë vëmendje dhe shikon me më shumë detaje. Mendoj se pritshmëritë e gjinive shpeshherë bien në kontradiktë dhe meshkujt kërkojnë të jenë më free-spirited” ndërsa femrat kërkojnë më shumë punë.
Si ka lindur bashkëpunimi yt me Alban Chelën?
Albani është një djalë shumë fantastik dhe kreativ dhe në lidhje me këngën ne kishim folur përpara “A Live Night” dhe atëherë thamë, tani është momenti! Ne na bashkon dëshira për muzikën, pasioni për të bukurën , maniakllëku për profesionin. Çfarë na ndan është ndoshta gjinia dhe se Albani punon edhe si DJ dhe unë jam interpretuese, por pse jo do t’i kërkoj të më mësojë.
Nëse do të ktheheshe në 2005 kur ka dalë edhe “Zonja dhe zotërinj”, çfarë do ti thoje Besës së atëhershme dhe a do ishte ajo formula e suksesit tënd me mendësinë artistike që ke tani?
Po të kthehesha mbrapsht nuk e di a do e kisha bërë aq mirë përzgjedhjen e atij materiali, unë ja atribuoj kreditet e asaj gjëje Genti Lakos, sepse përveç se ai ka shkruar një këngë qe ishte regatoni i parë në shqip, ishte ai që e bëri materialin dhe tha ti do e bësh këtë. Dhe unë jam mirënjohëse që ai mendoi për mua sikundër dhe jam mirënjohëse e vetes time që kisha ato kualitete, sepse unë isha ajo vajza rebele dhe tek ai pasqyroja personazhin e duhur që mund t’i bashkangjitej. Ishin kohë të bukura sepse asnjëherë nuk ke shancin e dytë për të dalë në skenë për herë të parë.
Albumi yt i fundit ka qenë gjysmë anglisht dhe gjysmë frengjisht. Çfarë do të na vijë së shpejti?
Unë këngët i kam realizuar të gjitha dhe ne bëmë prezantimin e parë, i cili ka ecur shumë mirë në Digital Stores. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse në Francë radiot janë të parat pastaj vijnë televizionet. Nëse në Digital Stores diçka ecën mirë ështe shumë pozitive. Menaxheri im po planifikon publikimin e single-it të dytë të albumit dhe ka planifikuar disa bashkëpunime me artistë francezë dhe amerikanë.
Po në lidhje me këngët shqip?
Jemi futur në procesin e xhirimit, jam duke punuar një tjetër material që po e realizoj me mikun tim të shtrenjtë Klejdi Bahiti. Unë kam menduar të titullohet “Tik tiki” i cili nuk tregon shumë për tekstin, por është interesante mjaftueshëm. Kemi për të xhiruar klipin dhe besoj nga fundi i nëntorit do ta nxjerrim si material.