E ftuar në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtarja Aurela Gaçe. Materiali i saj më i fundit “Si jetoj”, si dhe këngët që ajo ka publikuar gjatë këtij 2-3 vjeçari, të përmbledhura së bashku, formojnë dopio albumin e saj unik. Artistja kësaj radhe ka zgjedhur të sjellë një baladë, ku pohon se kjo baladë e sjell atë si rrallë herë, pa bërtitur.
E pyetur rreth albumit të saj, Aurela është shprehur:
Gjatë pandemisë e përdora muzikën si shpëtim të shpirtit tim dhe isha pothuajse çdo ditë në studio të ndryshme dhe aty lindnin refrenet, frazat, ritmi, biti. Dhe aty lindte kënga. Dhe unë nuk tërhiqesha pas, nëse unë e filloj diçka do ta çoj deri në fund. Më e bukura është se shumë nga këto klipe unë i kam xhiruar një vit më parë. Kjo këngë që ka dalë edhe tjetra që vjen në janar është xhiruar gjithashtu para një viti.
E njohur për karakterin e saj të fortë, ajo thotë se nuk ka pengje dashurie, por baladat i bëjnë njerëzit për vete, sidomos për ato që vuajnë për dashurinë. Këtu nuk ngeli pa u përmendur as prezenca e bashkëshortit të saj, jo vetëm në jetën personale, por edhe mbështetjen dhe ndihmën që ai i jep, duke patur besim absolut tek ai.
Kjo këngë e veshur sipas personalitetit dhe karakterit të zërit të saj, arriti të kapte magjinë e realizimit, duke lindur teksa po luhej rastësisht në piano dhe një pune prej katër vitesh, e cila u përfundua me xhirimin e klipit. Këtu Aurela shprehet se:
Klipin e kësaj kënge e doja super të thjeshtë, pasi doja fokusin në interpretim. E doja të gjithë fokusin tek fytyra, në sytë e mi, tek ajo çfarë thoja. Ka këngë që duan rrëmuje, kurse kjo është një këngë që duhet dëgjuar, duhet shijuar interpretimi. Këngë shpirti, pak gri, pak e vrenjtur.
E për projektet e ardhshme që janë mbyllur tashmë, shtatë këngët e radhës do të jenë komplet me rryma të ndryshme dhe s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Supriza mbetet bashkëpunimi i saj me Aleksandër Gjokën.