Art Abazi është një nga artistët më të talentuar të tregut muzikor shqiptar. Së fundmi ai ka qenë mjaft aktiv me projekte të reja dhe së fundmi ka publikuar këngën “Harrom”. I ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana” në Top Albania Radio, Arti na ka folur më shumë mbi këtë projekt, por edhe atë që pritet së shpejti…
Duke patur parasysh natyrën e këngëve të tua, a të motivon që të krijosh?
Jo, asnjëherë nuk e kam lidhur muzikën dhe dashurinë për muzikën me kohën ose një periudhë të caktuar të jetës. Thjesht unë muzikën e dua. Fatkeqësisht nuk kam mundur të jem shumë aktiv pavarësisht dëshirës së madhe për të qenë aktiv dhe për të prodhuar këngë. Realisht është e kushtueshme idomos kur nuk ke një ‘feedback’ prej saj. Dhe nuk e kam pasur komoditetin të prodhoj shumë shpesh projekte. Tani dua që ato pengje që më kanë mbetur në ‘rini’, t’i plotësoj në ‘pleqëri’. Por ju jam shumë mirënjohës që pavarësisht kësaj, dashuria dhe vëmendja nga ana juaj nuk ka munguar.
Çfarë mund të na tregosh ndonjë detaj rreth këngës “Harrom”?
Projekti “Jeta” që u bë në tetor, është kënga e parë e një fillimi të ri për mua. Jam zotuar që të paktën një këngë të re në muaj ta sjell. Kam gjetur një shtëpi muzikore shumë të bukur në Tiranë me disa djem shumë të talentuar dhe jemi bërë një trio interesante dhe produktive. Në nëntor solla “Harrom”. Ndërkohë jemi duke realizuar një projekt të ri që për mua do të jetë kënga më e mirë që do të sjell ndonjëherë. Është fjala për këngën “Dorëzohem” që do të dalë brenda pak ditësh. Uroj që në vazhdim të jem me këtë entuziazmin që kam prej muajit tetor dhe nuk kam për t’ju zhgënjyer sa i përket muzikës.
Secila këngë e jotja ka individualitetin dhe veçantinë e saj, është kjo ajo që vlerëson më shumë publiku?
Për këtë më kanë vlerësuar shumë njerëzit që secila këngë ka veçantinë e saj. Nuk është e njëjta gjë siç fatkeqësisht po ndodh vitet e fundit. Shumë artistë po shkojnë me një shabllon të çuditshëm. Kemi mbetur pak mbrapa sa i përket krijimtarisë.