Ka startuar mbrëmjen e sotme program më i ri në ekranin e Top Channel, “A Live Night”, i cili është një format origjinal i Top Channel, Top Albania Radio dhe Top Music Awards dhe mban vulën e Ledion Liços. Një program që ka në qendër të tij artistët më të dëgjuar dhe më të dashur nga shqiptarët kudo janë,  në një qasje dokumentari, ku e ftuar mbrëmjen e sotme është këngëtarja Arilena Ara.

Këngëtarja ka folur me një dashuri të madhe për albumin e saj të ri, pasi kënga ‘Ëndërr’, e rikthen atë në fëmijëri që ishte pjesa më e bukur sipas saj.

Ledion Liço: Çfarë kishe ëndërr të bëje ndryshe nga albumi, domethënë çfarë veçorie ka që njerëzit nuk e dinë?

Arilena Ara: Ëndërr duhet të ishte patjetër në album, kam bërë 13 demo në ditë, por Popi më tha që do nxjerrim tre nga këto se është e pamundur, po mirë që ta ka ardhur frymëzimi. Ëndërr ishte që futa në studio dhe ka qenë ‘ëeird’ dhe ishte emocioni dhe ndjesia që kam dhënë në atë këngë që nuk artikulohej dot në tekst.

Të flas për vete e kam të vështirë, u bë kohë që nuk flas për vete e më duket e çuditshme. Fëmijëria ime ka qenë e jashtëzakonshme sepse në rrugën e udhëtimin që kam pasur më bën të kthej kokën pas dhe të mendoj se kanë qenë të vetmet vite të lumtura si një fëmijë i pafajshëm pa menduar për të nesërmen.

Arilena Ara ka treguar një rrëfimin e saj një nostalgji të madhe për fëmijërinë dhe kohët me babanë e saj dhe lidhjen e ngushtë që kishte me familjen.

Arilena Ara: Kam patur një lidhje të jashtëzakonshme me babain tim, ai zbuloi talentin tim për muzikën. Lidhja ime me të ka qenë e jashtëzakonshme, më merrte çdo pasdite dhe dilnim bashkë në qytet. Më tregonte sekrete që nuk i ka ndarë me askënd të familjes. Të jesh fëmijë e të konsiderojë si të rritur, të bën të kesh siguri. Lutesha çdo natë për familjen dhe të afërmit. Kisha një gjendje ekonomike të thjeshtë, më modeste se të thjeshtë, por lumturia dhe lidhja që ne kishim ishte shumë e bukur e shumë spontane. Tregonim çdo gjë njëri tjetrit.

Më tej këngëtarja ka rrëfyer edhe zhgënjimin e saj të parë tek ‘Gjeniu i Vogël’, ku nuk arriti të fitonte çmimin kryesor. Ajo tha se kjo gjë kishte shërbyer si një mësim për të që ti kishte pritshmëritë më të vogla.

Arilena Ara: Jam njeri me vetëbesim shumë të lartë dhe e marr punën shumë seriozisht. Isha 11 vjeç tek Gjeniu i Vogël dhe nuk e kuptoja aq mirë që kjo ishte një punë, por e kish vizionin e qartë se çfarë doja të bëja me muzikën. Kam patur edhe një babain që ma evidentonte më tepër  dhe më jepte vlerësimin që të arrija një shkallë më lart. Aty pësova zhgënjimin e parë sepse nuk fitova. Kuptova që nuk duhet të pretendoj të futem në një garë e të fitoj patjetër.

 Ajo ka treguar se përveç triumfeve të mëdha, në jetën e saj ka pasur edhe humbje të cilat e kanë ‘gjunjëzuar’, por megjithatë e ka gjetur forcën brenda vetes për ta përballuar. E tillë ishte humbja e babait të saj, për të cilën këngëtarja tha se gjeti forcën për ta përballuar vetëm duke vënë në jetë ëndrrën e tij për ta parë të bijën duke kënduar në skenë.

Arilena Ara:Kur kthehem dhe flas për XFactor, e bëj me dashuri sepse aty më ka ndryshuar jeta 360 gradë, sepse ishte një shkallë që më çoi në një gjë tjetër dhe kjo erdhi pas humbjes së babait tim. Forma më e mirë të përballoja këtë humbje të madhe ishte të bëja këtë gjë që ai donte. Kështu që duhet patjetër të isha aty. Doja ta bëja krenar tim atë.

Fitova, fillimisht audicionet, duke gënjyer për moshën time, e dhashë emrin tek gjimnazi i motrës. XFactor fitova për vetëbesimin dhe sigurinë por trofeu nuk do më jepte gjithë kënaqësinë e botës, kisha marrë një mësim. Më morën seriozisht patjetër.

Përveç anës profesionale ku gjithmonë ka shkëlqyer, këngëtarja Arilena Ara ka treguar sonte në “A live night” edhe për jetën sentimentale, si rrallë herë. Ajo tha se të dashurin e saj, menaxherin Popi Kola, e ka takuar në audicione dhe që në momentin e parë, e ka kuptuar që ishte një person që duhet ta kishte gjithë jetën pranë, prandaj i kishte kërkuar atij ta marrë në menaxhim. Arilena ka treguar se i dashuri i saj është bekimi i saj më i madh pas humbjes së të atit dhe ka gjetur veten tek ai në të gjitha dimensionet.

Arilena Ara: Popi është bekimi më i madh që më ka ardhur në jetë pas humbjes së babait tim, ka qenë audicioni i produksionit, ishim 2 mijë kokurentë që prisnim dhe ai merrej me të gjithë konkurentët. Unë dola një moment dhe kishim një kontakt me sy, ai më puthi në ballë dhe më tha kinge. Unë e përqafova me një mall sikur kisha një jetë që e njihja. Ai ka qenë momenti që unë thashë ai njeri nuk do dalë nga jeta ime. I thashë ti do më marrësh në menaxhim. Unë mora ca gjëra nga ai që i kisha në gjak thjesht nuk i kisha ushtruar. Më ka lënë liri në çdo gjë që bëj, të gjej veten në çdo lloj forme të mundshme.

Nëse shumica e të rinjve, pjesën më të madhe të kohës mendojnë për pushimet dhe kohën e lirë, Arilena Ara ka treguar se nuk është aspak e tillë.

Arilena AraMund t’ju duket e çuditshme por nuk kam bërë kurrë pushime në jetën time. Thoja me vete sa qejf është të ikësh me pushime, nuk kam pasur kohë në të gjitha llojet e dimensioneve, skam pasur dëshirë për të pasur kohë. Kanë qenë vitet e mia të arta për të punuar që kur të kem një moshë ti meritoj ato pushime, të kem një arsye për çfarë të pushoj, se një fëmijë s’kishte për çfarë të pushonte. Popi më thoshte të ikim dhe unë ia ktheja mbrapsht, i thoja duhet ti meritojmë ato pushime, s’jemi lodhur mjaftueshëm. Në moshën 18 pata fatin të shëtisja në Europë në koncerte dhe kam vizituar vende të jashtëzakonshme, por kurrë nuk e kam marrë valixhen që të nisem për pushime. Edhe sot e kësaj dite nuk bëj.